Shqiptarët denden me ilaçe, në farmaci 2700 lloje barnash
• Shqiptarët “denden” me ilaçe. Konsumi i tyre është masiv nga popullata edhe atëherë kur nuk janë të nevojshme.zirina llambroSipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndonëse janë rekomanduar si të domosdoshme 400 lloje medikamentesh, në farmacitë private qarkullojnë mbi 2700 të tilla, nga të cilat rreth 400 rimbursohen falas nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Nga të dhënat e OBSH-së, rezulton se shitja e medikamenteve gëlltit 47% të shpenzimeve të përgjithshme të shëndetësisë shqiptare dhe 51 % të shpenzimeve vjetore të ISKSH-së, ose në total 360 milionë euro për dhjetë vitet e fundit. “Shqipëria e varfër është kampione për konsumin medikamentoz në Evropë”, sqarojnë specialistët. Alarmi është ngritur disa herë edhe nga vetë mjekët. Sipas tyre, qytetarët bëhen kurues të vetvetes kur pa u konsultuar aspak me bluzat e bardha shkojnë në farmaci dhe blejnë medikamente. Kjo si pasojë e mungesës së një kulture të mirëfilltë shëndetësore. “Hipermedikalizimi vjen edhe si pasojë e kulturës qytetare. Mund të them se një pjesë e shqiptarëve e kanë këtë kulturë, por përgjithësisht ajo është më e ulët nga sa duhet”, shprehet kreu i qendrës kombëtare të cilësisë dhe akreditimit të institucioneve shëndetësore. Sipas tij, për të zgjidhur këtë problem duhen platforma konkrete.Protokollet e sëmundjeve“Hipermedikalizimi nuk është mundësia e vetme mjekësore për të sëmurët. Ka një sërë zgjidhjesh të tjera. Një ndër to, do të ishin udhëzuesit e praktikës klinike, të cilat ne po përpiqemi t’i zbatojmë në vendin tonë. Me anë të tyre do të shmangeshin recetat e dhëna sipas dëshirës, me më pak apo me më shumë ilaçe”, sqaron Isuf Kalo. Por sipas tij, ajo që vërehet është një rezistencë nga një pjesë e mjekëve, të cilët normalisht duhet të bashkëpunojnë për adaptimin e këtij procesi. “Konsensusi nga të gjithë mjekët do të ofronte vënien në jetë të praktikave që do të ishin në dobi të pacientëve. Nisma e Ministrisë së Shëndetësisë për të nxjerrë udhëzuesit për një pjesë të sëmundjeve, që prekin më shumë popullatën duhet çuar me tej me kontributin e tyre”, thekson Kalo. Aktualisht në vend ka protokolle për shumë pak sëmundje, por edhe ato nuk zbatohen siç duhet. Ankesa për këtë situatë ka pasur herë pas here nga të sëmurët talasemikë. Kjo kategori i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë të miratojë protokollin e sëmundjes, duke përcaktuar analizat që duhet të kryejnë pacientët gjatë një viti, skemën e trajtimit, si dhe elementë të tjerë të nevojshëm për kurimin e tyre.