E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veshkat, i sëmurë 1 në 10 shqiptarë

• Një në 10 shqiptarë ka probleme me veshkat. Kjo për shkak të mungesës së diagnostikimit të hershëm dhe neglizhencës të një sërë sëmundjesh të cilat dëmtojnë ato. “Të rinjtë duhet të kryejnë pas moshës 20 vjeç analizën për nivelin e albuminës për të evituar këto probleme. Ndërsa gratë shtatzëna duhet ta bëjnë një gjë të tillë të paktën një herë në 3 muaj”, apelojnë mjekët specialistë. Sipas tyre, incidenca e sëmundjes është në rritje vit pas viti jo vetëm në vendin tonë, por edhe në botë. Tek bluzat e bardha në 80% të rasteve pacientët paraqiten atëherë kur janë në gjendje të rëndë. Krahas mungesës së sensibilizimit të qytetarëve për të kryer periodikisht analizat, problemi më i madh për të sëmurët mbetet trajtimi. Vendi ynë renditet ndër të fundit në rajon për kapacitetet e kryerjes së procesit të hemodializës, në krahasim me rastet e reja që shtohen nga viti në vit. Ndërkohë faktorët kryesorë të riskut mbeten infeksionet e veshkave që nuk kurohen siç duhet, por edhe ndikimi që kanë në shfaqjen e këtyre problemeve sëmundje të tilla, si diabeti e hipertensioni. Këto sëmundje çojnë në dëmtimin e rëndë të filtrueseve të gjakut.  Sidomos, diabeti i tipit 2 me kalimin e kohës shkakton dëmtimin e veshkës, ndërsa problemet me hipertensionin sjellin zvogëlimin e veshkës, duke çuar deri në insufiçensë renale kronike. “Një tjetër faktor që ndikon është edhe mbipesha, e cila e sforcon punën e veshkave, por nuk mund të lihet pa përmendur edhe cilësia e ujit që konsumojnë qytetarët, që duhet të jetë brenda parametrave të lejueshëm”, theksojnë mjekët. Në vendin tonë çdo vit zbulohen rreth 350 raste të reja të personave që kanë nevojë për dializë, apo janë në një stad më të hershëm të sëmundjes. Akoma nuk ka të dhëna të sakta për personat që humbin jetën çdo vit nga këto sëmundje, ndonëse me përafërsi numri i tyre mendohet t’i kalojë të 300 vetët. Aktualisht në të gjithë vendin ka rreth 5 qendra dialize, të cilat janë jo pak problematike po të nisesh nga ankesat e protestat e shumta të pacientëve. Ata minimalisht duhet të kryejnë një herë në muaj filtrimin artificial të gjakut me anë të dializës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›