Apeli lë në burg të akuzuarit për tragjedinë e Gjirokastrës
GJIROKASTER - Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimet e Shkallës së Parë të gjyqësorit të Gjirokastrës, për të akuzuarit nga prokuroria si përgjegjës për ngjarjen e 9 nëntorit. Gjykatësit që kanë shqyrtuar çështjet në ngarkim të Thanas Llahanës, specialist gjeolog, Aristotel Haxhit dhe Sotiraq Janorës, pronarë të firmës "Arti" shpk, Alfred Mamanit dhe Afërdita Papamihalit, zyrtarë të Bashkisë së Gjirokastrës, Gjergji Mecit dhe Luan Bufit, inxhinierë zbatues të firmës ndërtuese, kanë shqyrtuar provat e paraqitura nga prokurori i Apelit për veprat me të cilat ata akuzohen. "Shpërdorim detyre" dhe "moszbatim të rregullave në punë", janë dy akuzat që rëndojnë mbi shtatë të pandehurit. Ndërkohë që avokatët kanë paraqitur argumentet e tyre për ndjekjen e të gjithë personave të arrestuar në gjendje të lirë, pasi ata nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore. Por gjyqtarët kanë qenë të vendosur që të shtatë të akuzuarit që janë paraqitur në seancat gjyqësore, të qëndrojnë sërish në dhomat e paraburgimit. Pritet që pas disa ditësh të shqyrtohet kërkesa e Admir Shehajt, përgjegjësit të Inspektoriatit të Ndërtimit.