Geraldina, "spikerja" e parë e lajmeve
ALMA MILE
Nuk dihet se cili është sot fati i atyre regjistrimeve. Zëri i saj në të parën përshëndetje radiofonike, humbi bashkë me kohën. Sot, kur Radio Tirana mbush plot 70 vjeç, mes emrave që themeluan, apo folën në mikrofonin e kësaj radioje, përmenden edhe emrat e Mbretit Zog e Mbretëreshës Geraldinë. Në korrik të atij viti Mbreti Zog nxjerr një dekret për hapjen e radios, ndërkohë që Geraldina njihet si "spikerja" e parë e saj. Ishte 28 nëntor i vitit 1938, kur çifti mbretëror preu shiritin e Radio Tiranës, që aso kohe u vendos në ish-ndërtesën e Bashkisë. Ishte stacioni i parë radiofonik në Shqipëri me fuqi 3 kilovat dhe me valë të shkurtra 40 metra, pagëzuar me emrin Radio-Tirana.
I pari zë, që u dëgjua nga mikrofoni i kësaj radioje ishte ai i mbretëreshës, e cila ishte kurorëzuar jo shumë kohë më parë, në 27 prill të atij viti. Dje, gjatë një ceremonie për nder të ditëlindjes së Radio Tiranës, në sallën e madhe të Akademisë së Arteve, ishte drejtorja Zamira Koleci, ajo që bëri të njohur këtë fakt interesant. Edicionin e parë të lajmeve, e mbajti mbretëresha 21-vjeçare. Mbretëresha Geraldinë, pinjolle e një familje të ngritur hungareze, e bija e kontit Gyula Appony dhe e konteshës Glayds Virginia Stewart, një amerikane shumë e pasur nga shteti i Marylendit, mori një edukim të adhurueshëm. Ajo zotëronte disa gjuhë të huaja, por si mbretëresha e shqiptarëve ishte në detyrën e saj që të mësonte edhe shqip. Mësohet se iu deshën plot 6 muaj për të perfeksionuar gjuhën shqipe e të ishte gati për të dhënë edicionin e parë në Radio-Tirana. Fatkeqësisht sot nuk na vijnë dëshmi se cilat kanë qenë fjalët e mbretëreshës, drejtuar shqiptarëve, përmes valëve të radios. Burime nga Oborri Mbretëror bëjnë me dije se janë interesuar pranë arkivave të Radio Tiranës për të gjetur regjistrimin e asaj përshëndetjeje, por me shumë gjasa ajo është shkatërruar, bashkë me shumë materiale me vlerë, të cilat u dogjën. Mes tyre edhe këngët e regjistruara të Festivalit të 11-të në RTSH, që siç dëshmon një nga inxhinierët e parë të incizimit në radio, Spiro Ikonomi, ishin të parat regjistrime, që u bënë të plota përpara festivalit e që fatkeqësisht u shkatërruan të gjitha. Edhe pse nuk dihen më shumë detaje se kaq, çfarë na vjen si kumt prej asaj kohe, është shfrytëzimi i prezencës së mbretëreshës, për t'i dhënë frymë sa më perëndimore këtij organi të ri që po hapej. Edhe pse ajo ishte mbretëresha e vendit, dëshmonte që më së pari ishte shërbëtorja e popullit të vet, ndaj edhe po kryente këtë shërbim në radio. Po sipas këtyre burimeve mësojmë se në datën 28 nëntor 1938, ishte Mbreti Zog, që përmes valëve të Radio Tiranës u çoi gjithë shqiptarëve përshëndetjet me rastin e Festës së Flamurit. Do të kishte qenë interesant ridëgjimi i këtij fjalimi, 70 vjet më vonë, pikërisht në Ditën e Flamurit. Të vetmet dëshmi të kohës janë disa fotografi, ku paraqitet Mbreti Zog e Mbretëresha Geraldinë, duke folur në ambientet e radios.
Ndonëse Geraldina mbre-tëroi vetëm për një vit në Shqipëri, ajo arriti të krijonte profilin e një njeriu të dashur, me një intelekt të spikatur dhe e prerë për të mbajtur një pozicion të lartë si ai i mbretëreshës.
Që në udhëtimin e saj të parë në Shqipëri, në qershor të vitit 1937, u duk se Geraldina ishte zgjedhja e duhur. E rritur nga gjyshërit e saj, fillimisht ajo mësoi në një shkollë angleze në Menton të Francës. Më pas gjyshërit e saj Aponny e dërguan në kolegjin "Sacred Heart" të Pressbaum afër Vjenës në Austri, ku mbaroi Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Financiare. Kontesha Geraldinë iu kushtua stenografisë, sociologjisë, historisë, letërsisë, etj. Një ndihmesë në edukimin e saj jepte edhe biblioteka e familjes së saj, e cila ishte shumë e pasur me rreth 30.000 libra. Për shumë kohë punoi në Muzeun Kombëtar të Hungarisë. Ishte zo-tëruese e gjuhëve hungarisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe shqip.
Kur lindi Radio Tirana
Radio-Tirana filloi transmetimin e emisioneve më 28 nëntor të vitit 1938. I pari drejtor i radios u emërua Gjergj Bubani, i cili ideoi një sërë emisionesh si "Ora letrare", "Ora gazmore", "Këshillat e mjekut", "Muzikë e kërkuar", etj. Në mikrofonin e kësaj radioje u dëgjua zëri i Marije Krajës, Tonin Guraziut, Tefta Tashko Koços, Lola Gjokës, Dhora Lekës, e cila ishte redaktorja e parë, Kaliopi Plasarit, spikeres së parë, Haki Bejlerit, Viktori Xhaçkës, Kristaq Antoniut, Sterio Spases, Mihal Popit, Besim Lubonjës, Kadri Roshit, Reshat Arbanës, Vera Zhejit, Piro Naçes, Hamdi Sulçebejt e mjaft të tjerëve. Veç vlerave artistike e kulturore, kjo radio përmban një vlerë kombëtare, arkivin në të cilën ndodhen zëra unikë, siç është një fjalim i poliedrikut shqiptar Fan Stilian Noli, apo zëri i të madhit Aleksandër Moisiu.
Festë në 70-vjetor
Mbresa, kujtime dhe copëza jete u përcollën dje në sallën e Akademisë së Arteve gjatë ceremonisë së 70-vjetorit të Radio Tiranës. Zamira Koleci, Vera Zheji, Agron Çobani, Margarita Xhepa, Adi Krasta, etj., sollën kujtimet e tyre nga vitet e kaluara para mikrofonit të së parës radio shqiptare.
Transmetimi në gjuhë të huaja
Jo vetëm për shqiptarët, por edhe të huajt, Radio-Tirana transmeton edhe në disa gjuhë të huaja, si anglisht, frëngjisht, greqisht, turqisht, italisht e gjermanisht. Gjatë viteve të diktaturës, ka shërbyer dhe si një mjet propagandistik për të treguar arritjet e socializmit. Transmetimi në gjuhë të huaj, ka funksionuar si redaksi më vete.