Vetëvritet me 1 plumb në kokë doganieri vlonjat
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Vetëvritet punonjësi i Doganës së Vlorës. Patriot Hoxha është gjetur dje në mesditë nga familjarët e tij i pajetë. Sipas policisë, 53-vjeçari u vetëvra me një plumb në kokë në një nga dhomat e banesës së tij në lagjen "Kushtrimi".Ngjarja u shënua në momentin kur në banesë ndodhej vetëm bashkëshortja e viktimës dhe një vajzë 17 vjeçe, e cila ka lindur e paralizuar. Pasi ka dëgjuar krismën e armës, gruaja ka nxituar drejt dhomës, ku ka parë dhe skenën tragjike. Me shpresën se i shoqi ishte gjallë ajo sinjalizoi menjëherë policinë, por sipas ekspertëve, ai kishte ndërruar jetë. Një grup hetimor po punon për të zbardhur motivet që e çuan Hoxhën drejt aktit të vetëvrasjes. Sipas policisë, ngjarja ndodhi në lagjen "Kushtrimi", në katin e pestë të një pallati 7-katësh. Në vendin e ngjarjes u gjet edhe arma, pistoletë, për të cilën po hetohet se ku e kishte siguruar viktima, pasi ishte pa leje. Mësohet se Hoxha punonte prej më se 10 vitesh në doganë. Një vit më parë, në kuadër të një reforme, ai ishte hequr nga puna. Por pas dy muajsh kishte rifilluar punë po në doganë. Kolegët e tij deponuan për ekspertët e grupit të hetimit se nuk kishin dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm të tij me persona të tjerë. Ai nuk kishte pasur asnjë problem të dukshëm në ambientet ku punonte. Sipas deklarimeve të dhëna në polici ata thanë se nuk kishin vënë re ndonjë shqetësim apo shenjë që mund t'i kishte paraprirë vetëvrasjes. Të njëjtin fakt pohuan edhe familjarët e tij, pasi policia i mori në pyetje. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, 53-vjeçari ka qëlluar veten me një plumb në kokë, i cili i ka shkaktuar menjëherë vdekjen. Hoxha ishte babai i tre vajzave, një prej të cilave me studime në Francë, tjetra gjimnaziste në vitin e tretë në Vlorë dhe një tjetër vajzë, 17-vjeçare, e cila ka lindur e paralizuar dhe qëndron në shtëpi gjatë gjithë kohës. Ndërsa e shoqja, për shkak se duhej t'i shërbente vajzës së sëmurë, ishte pa punë prej shumë vitesh. Për policinë, ende nuk dihen shkaqet që e çuan drejt vetëflijimit 53-vjeçarin. Ai nuk kishte asnjë konflikt të njohur, ndërsa nuk kishte shfaqur më parë shenja të ndonjë depresioni. Por burimet nuk përjashtuan dyshimin se shkak i kësaj ngjarjeje të rëndë të ketë qenë edhe depresioni për shkak të vajzës së sëmurë. Ajo ka lindur e paralizuar dhe prej 17 vitesh qëndron në shtëpi, duke marrë veçse trajtimin nga nëna e saj.