E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet kapiteni i "Teutës"

 

DURRES/ OERD ULQINI

Arrestohet kapiteni i "Teutës", Qazim Buna. Mesfushori 30-vjeçar i "djemve të detit" është prangosur në kushtet e flagrancës pas një sherri për motive banale ku mbeti i plagosur shtetasi A. Pasha, banor i qytetit të Durrësit. Burime nga Prokuroria saktësojnë se mbi fantazistin e "Teutës" rëndojnë dy akuza, ato të "mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake" parashikuar nga neni 278/2 si dhe "Plagosje e lehtë me dashje" e parashikuar nga neni 89 i K.Penal. Në mesditën e datës 27 nëntor, futbollisti është përfshirë në një sherr i cili fillimisht ka nisur me fjalë. Por dy shtetasit Qazim Buna dhe A.Pasha kanë kaluar në pak sekonda nga fjalët te fyerjet e rënda dhe gjestet kërcënuese. Mësohet se konflikti ka degjeneruar në rrahje dhe futbollisti ka goditur me grushte shtetasin A.Pasha, duke i shkaktuar këtij të fundit plagosje të lehtë. Policia bën me dije se mesfushori i "Teutës" ka nxjerrë nga brezi edhe një pistoletë, për të kërcënuar shtetasin tjetër të përfshirë në sherr. Por pavarësisht se Buna kishte pasur armën në dorë, ai nuk ka kryer me të as edhe një shkrepje të vetme, thjesht e ka përdorur për të trembur Pashën. Ngjarja ka ndodhur në mes të Durrësit dhe shumë dëshmitarë lajmëruan policinë. Identifikimi i autorit ka qenë fare i lehtë, pasi Qazim Buna është një ndër futbollistët më të shquar të klubit të futbollit "Teuta" dhe si i tillë në Durrës është një person publik. Me të mbërritur patrulla e policisë, Buna ka tentuar të fshehë armën e zjarrit, një pistoletë jugosllave të tipit "Zastava", të cilën ai e mbante pa leje. Sipas burimeve policore, Qazim Buna ka tentuar të fshehë pistoletën duke ia dorëzuar atë shtetasit Bejtush Bejtja, një mik ky i futbollistit që ndodhej rastësisht me të. Por patrulla e policisë, e ndihmuar edhe nga dëshmitarët, ka pikasur të gjithë skenën, duke kryer arrestimin e kapitenit të "Teutës" dhe duke bllokuar njëkohësisht armën e zjarrit "Zastava" Nr.299878, me një krehër ku ndodhej një fishek i vetëm. Vetëm pesë minuta më pas, policia e Durrësit ka prangosur edhe bashkëpunëtorin e Bunës, shtetasin Bejtush Bejtja, i cili tentoi të fshihte pistoletën që miku i tij e mbante pa leje. Ai do të përballet me togat e zeza për veprën penale të kryerjes së "veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës", parashikuar nga nenet 278/2 dhe 301 të Kodit Penal. Mësohet se sherri me pasojë dy të arrestuar dhe një të plagosur ka qenë momental. Ai ka nisur për motive krejt banale, teksa personat po frekuentonin një lokal. Me pretekstin për t'u sqaruar, ata kanë dalë jashtë dhe nga fjalët është kaluar tek aktet e dhunshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›