Xhelozia, plagos të dashurën
PATOS - Një vajzë nga Patosi përfundoi në spitalin e Fierit në gjendje të rëndë, pasi u rrah nga një 25-vjeçar. Ngjarja ndodhi dje në orët e paradites, kur i riu Admirim Jamçe u fut forcërisht në banesën e saj dhe ushtroi dhunë. Sipas policisë, vajza me inicialet F.M ndodhet në spital, pasi pësoi fraktura të rënda. Komshinjtë e 20-vjeçares, të cilët kanë dëgjuar thirrjet e saj për ndihmë, kanë njoftuar edhe policinë. Kjo e fundit arrestoi Jamçen në tentativë për t'u larguar nga qyteti. Ai e kishte plagosur rëndë vajzën dhe më pas ishte larguar. Policia bëri të ditur se 25-vjeçari ishte me precedentë të mëparshëm kriminalë. Ai kishte qenë i dënuar një herë për tentativë vrasjeje. Ndërsa akuza që rëndon tashmë ndaj tij është për plagosje të rëndë me dashje. Policia ende nuk ka marrë deklaratën e vajzës, e cila pritet të shpjegojë edhe motivin e kësaj ngjarjeje, që për pak i kushtoi jetën. Për shkak të çështjes delikate, blutë ishin të rezervuar për detaje lidhur me këtë ngjarje. Sipas burimeve, dyshohet se viktima dhe i arrestuari kishin pasur lidhje intime mes tyre. Ky i fundit ishte i martuar dhe me një fëmijë. Dyshohet se vajza i kishte kërkuar atij ndarjen, dhe për shkak të xhelozisë ai përdori dhunë ndaj saj.