E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtria, punë për 200 vetë

 

SHKODER - Rreth 200 të rinj pritet të përfitojnë në Qarkun e Shkodrës pas daljes së vendimit të Ministrisë së Mbrojtjes për punësimin në sektorin ushtarak. Paga parashikohet të nisë nga 26 mijë lekë dhe rritja e saj kushtëzohet nga specializimet e ndryshme që mund të marrin personat që aderojnë në një shërbim të tillë si dhe karriera. Këtë fakt e pohon vetë shefi i mobilizim-rekrutimit në Shkodër Enver Rexhvelaj, në një takim pune të organizuar nga prefekti Maxhid Cungu. "Sqarojmë se një shërbim i tillë është një punë si gjithë të tjerat, ku të rinjtë janë të detyruar që të punojnë nga e hëna deri të premten, me nga 8 orë në ditë. Ndërkohë, të rinjve u sigurohet trajtimi ushqimor, veshmbathja dhe shërbime të tjera", pohon Rexhvelaj. Kjo është alternativa më e fundit për rreth 200 të rinj të moshës nga 20-30 vjeç për qarkun e Shkodrës, sistemimi i të cilëve mund të bëhet edhe nga zyrat e punësimit në qark krahas degëve të mobilizim-rekrutimit. "Për të ndërmarrë një iniciativë të tillë, qeveria ka shqyrtuar më parë të gjithë përvojën e shteteve që kanë një eksperiencë të gjatë dhe të suksesshme me këto reparte", tha Rexhvelaj.                           r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›