Halimi: Qytetarët flenë të qetë, bandat janë në burg. Edhe Jurgeni po flinte i qetë zoti ministër!
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, duke folur gjatë një konference të titulluar Praktikat më të mira në drejtësinë kriminale, ka thënë se Shqipëria nuk është më një vendstrehim për bandat dhe krimin e organizuar.
Sot falë policisë shqiptare, vendi ynë nuk është më strehim për krimin e organizuar dhe bandave. Është detyrë e çdo qeverie që të hartojë paketa ligjore për të luftuar krimin e organizuar dhe të fitojë betejat me të, tha Halimi.
Pak vite më parë miratuam një nga ligjet më të rëndësishme, ligjin antimafia, opozita e kundërshtoi me orë të tëra, por qeveria ishte e vendosur, duke e cilësuar betejë me tolerancë zero këtë betejë ndaj krimit të organizuar dhe bandave. Që të luftosh krimin duhet ta godasësh atje ku i dhemb më shumë, tek pasuria. Vetëm vlera e pasurive të sekuestruarave nga Krimet e Rënda është mbi 20 milionë euro, dhjetëra apartamente banimi të sekuestruara çdo vit, njësi tregtare, biznese, troje, automjete luksoze që përbëjnë rezultatet e luftës ndaj krimit të organizuar, tha ai.
Sot kam kënaqësinë që një trupe gjyqësore ti drejtohem me një falënderim për punën, përkushtimin në të mirë të drejtësisë në luftën e pareshtur ndaj krimit. Jemi jashtë hartës problematike të krimit të organizuar, qytetarët e bëjnë gjumin e qetë, bandat janë brenda kangjellave të burgjeve, vijoi më tej Halimi.
Por, jo zoti ministër, qytetarët nuk e bëjnë gjumin e qetë. Jurgen Lukaj, një fëmijë vetëm 8 vjeç, po flinte në divanin e shtëpisë mbrëmjen e djeshme në Vlorë, kur ka marrë një plumb në kokë nga dy grabitës që donin të vidhnin banesën e tij. Ky fëmijë nuk e bëri gjumin rehat zoti ministër, sepse e vranë pikërisht në gjumë. Për të mos përmendur rastet pa fund të vrasjeve të fundit, që nga Maria 16-vjeçare, e cila u vra në mes të ditës duke punuar në arë, apo vrasjet e pazbardhura të gjykatësit, deputetit, kryekomunarit. Apo keni zbardhur këtë serinë e vrasjeve të grupeve mafioze në Tiranë?
