E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli lë në fuqi dënimin për djemtë e Xhaferrit

27/01/2005  

TIRANË – Gjykata e Apelit vendosi të lërë në fuqi vendimin e dhënë nga gjyqtari Artan Broci, kundër djemve të Rrapush Xhaferrit, i cili vdiq në Spitalin e Burgut, pak ditë para se të mësonte masën e dënimit. Për Apelin, vendimi i Shkallës së Parë ishte i drejtë dhe pa asnjë shkelje ligjore, e cila mund të bëhej shkak për të rikthyer edhe një herë çështjen për gjykim. Asllan Xhaferri do të vuaj 8 vjet burg, Përparimi dhe Pëllumbi, që janë hetuar dhe gjykuar në mungesë, në momentin e parë që do të kapen, do të vuajnë nga 10 vjet burg. Ky qe vendimi i djeshëm që mbeti në fuqi nga Apeli për tre djemtë e Rrapush Xhaferrit, për të cilin u pushua çështja pas vdekjes. Apeli ishte i të njëjtit mendim me gjyqtarin Broci, kur shpalli të pafajshëm vëllanë e Xhaferrit, Livanin. Masa e dënimit e kërkuar nga akuza ishte 15 për Asllanin dhe nga 18 vjet për dy djemtë e tjerë, Përparimin dhe Pëllumbin. Të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njëri–tjetrin në një periudhë kohe nga viti 1994 deri 1996, kanë grumbulluar para nga populli në formën e huamarrjes. Paratë janë grumbulluar për llogari të firmës piramidale "Demokracia Popullore", e drejtuar nga babai i tyre, Rrapush Xhaferri. Të pandehurit akuzohen se kanë vjedhur me anë të mashtrimit 1.177.800 kreditorë. Për secilin nga kreditorët, të pandehurit u dënuan nga 3 vjet burg. Shuma e grumbulluar dhe për të cilën u akuzuan është 15 miliardë lekë. Fillimisht, djemtë e Xhaferrit krijuan shoqërinë "Mirsajet". Me anë të kësaj shoqërie, të drejtuar nga i pandehuri Asllan Xhaferri, ata u morën me tregtinë e cigares. Më pas, Xhaferri hapi në Lushnjë pikën e parë të grumbullimit të parave në formën piramidale. Për 10 mijë lekë të mbyllura, çdo kreditor në tre muaj merrte 30 mijë lekë. Asllan Xhaferri është i vetmi nga djemtë e Rrapushit që ndodhet në bankën e të akuzuarve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›