E Diel, 1 Nëntor 2026

Një popull, një komb, një tokë, një kulturë

27/01/2005  Zanafilla e një bekimi

(meditime mbi romanin Eksodi, të Leon Uris)

1.

Gjithësa përsias më poshtë, vijnë nga leximi i librit Eksodi (botim i Shtëpisë botuese Dituria, 2004, 723 faqe, përkthyer nga Robert Shvarc) të shkrimtarit hebreo-amerikan Leon Uris, bestseller i viteve gjashtëdhjetë, përkthyer në mbi pesëdhjetë gjuhë të botës. Ky libër, një roman i mbështetur mbi dokumente reale, një histori e letrarizuar mbi krijimin e shteti të Izraelit, rikrijim më 14 maj 1948, pas dymijë vjetësh shpërbërjeje të kombit ebraik, është mjaft sugjestiv, me shumë ide konstruktive për një komb a shtet që kërkon të ringrihet, që me mundim apokaliptik rreh të gjejë vendin e vet në historinë e madhe të kombeve. Sado e largët, një paralele me ato përpëlitje dhe kërcitje që neve shqiptarëve si komb na e dha dhe ende po na e jep periudha që pas ’90-tës e tëhu, nuk është e vështirë që t’i gjesh. Si duhet të ringrihesh nga e para mbi këmbët e tua, si etni, si ekonomi, si kulturë, si fuqi shtetërore, kur je në një tokë të shkretë dhe me fqinj jo shumë dashamirës, etj, etj. Këto e pyetje të tjera te libri Eksodi marrin një përgjigje.

2.

Gjithmonë më ka tronditur qytetërimi hebraik, megjithëse në vendin tonë, së paku që nga koha që unë kam filluar të shkruaj e të lexoj, nuk gjeje asgjë për këtë qytetërim të mahnitshëm. Vjershat me motive biblike të Nolit, drama e tij Izraelitë dhe filistinë, Juda Makabe i Fishtës flisnin për thërrmija nga feksëtimat e mëdha të një kulture të pashoqe që tashmë prej shekujsh ishte vënë në fondamentin më të thellë të kulturës botërore. Rilindasit tanë iu drejtuan kësaj përvoje. Më vonë kam lexuar librin e Jobit dhe vërejta se Gëtja në Prologun në qiell të tragjedisë së famshme Faust, ka vjelur një motiv biblik: zoti bisedon mbi një njeri të devotshëm (Jobin), por ç’do të ndodhte në se atë e vë në provë, kë do të zgjidhte ai, perëndinë apo djallin? Pa këtë argument nuk do të ngrihej arkitektura aq e dallgëzuar universalisht e tragjedisë Faust. Por janë të pafundme motivet biblike që kanë ushqyer filozofinë, psikanalizën, pikturën, letërsinë e lashtësisë dhe të modernitetit. Pa trashëgiminë e judenjve nuk do ta kishim arketipin e Adamit dhe të Evës, të Tokës së Premtuar, të Arkës së Noes… nuk do ta kishim krishtërimin dhe, më pas, as edhe myslimanizmin.

Mbi librin e Ekleziastit poeti nobelist T. S. Eliot mbështet për evokimin e temës mistike mbi kohën (Prufroku). Por kjo, mistika, është një luks për vende që kanë probleme të krijimit të tyre si komb, si etni. Zhuzepe Verdi, në kohën që Italia kërkonte bashkimin e saj si komb, do të frymëzohej nga psalmi 137 i biblës, psalm që Noli ynë e rimerr në vjershën Anës lumenjve, ashtu siç e rimerr Elioti (Toka e shkretë) dhe nobelisti tjetër S. Kuasimodo në një poezi mbi të vrarët në Luftën e Dytë Botërore. Situatat në ekstrem, kohët kur shtrohen pyetje për jetë a vdekje, gjejnë burime ushqyese te trashëgimia e biblës ebraike. Në librin biblik të Zanafillës (12: 2,7) Zoti i premton Abrahamit se prej tij do të bëjë një popull, një komb, do t’i japë një tokë dhe, mbi të gjitha, një bekim. Do ta zgjedhë Izraelin si popullin e tij, popullin e Zotit. Një popull, një komb, një tokë… a nuk i kemi kërkuar thekshëm gjatë gjithë shekullit të njëzetë dhe ne shqiptarët këto? Dhe diçka kemi arritur, por popull i parealizuar mbetemi ende… troje si Kosova flasin shqip e jetojnë shqip, po ku janë e si janë? Mbase na duhet një bekim. Mbase. Për këtë do të flas në vijim.

3.

Ajo çfarë më ka përplasur me gjithë fuqinë te kjo trashëgimi ebraike e më ka bërë ta lexoj e rilexoj biblën, por edhe çdo gjë që më ka rënë në dorë nga trashëgimia ebraike, sigurisht, ka qenë kërkimi për të gjetur përgjigje për pyetje që burojnë nga një e sotme personale dhe më shumë, mbase, kolektive. Projektimi i së sotmes në një të shkuar universale përbën thelbin e motivit biblik të Nolit. Projektimi i pyetjeve mbi të sotmen në një universalitet neutral, paralelet me faza të ngjeshura ngjethshëm me tragjedi dhe me rreziqe përmasash të pakrahasueshme, mundet të pjellin dhe shtigje a fekëtima përgjigjesh për të nesërmen. Vendi ynë u fut në rrugën, po e quajmë të lirisë dhe të demokracisë, ashtu siç u shqiptuan këto fjalë, u shqiptuan si parrulla në ’90-tën. Parrulla d.m.th, pa ndonjë përmbajtje të lëndët, të prekshme, të sigurtë, dmth, fjalë në erë. Dhe me të vërtetë kështu qe. Ne morëm lëvozhgën e fjalëve dhe simbolet e dy gishtave si majmunë pa futur dot në to një përmbajtje me bukë brenda tyre. Domosdo, zhgënjimi do të na ndiqte. Zhgënjimi si i atyre kalamajve që dëgjojnë përralla me mbret në mbrëmje dhe, sa dalin në rrugë, në kthesën e parë, i presin hajdutët apo dhe vrasësit. Njerëzit tanë që prisnin parajsën e premtuar nga komunistët, menduan se këta “maskarenjtë komunistë” i paskan mashtruar, ata kapitalistët e paskan gjetur parajsën për veten e tyre dhe: o burra të shkojmë në parajsë, të emigrojmë. Por parajsë në tokë nuk ka. Të emigruarit, në rastin më të mirë, u bënë punëtorë të dorës së dytë a të tretë, në rasitn më të keq, banditë dhe prostituta. Brenda vendit, po kështu, me psikologji dhe mendësi komuniste ne bëjmë të ngjitemi te një ideal demokratik, por rrëshqasim me hundët në baltë e pluhur, pa mundur të distancohemi nga vetja dhe të gjejmë një hulli të sigurtë që përçon te vizioni i vagullt që kërkojmë. Këtu vjen ajo që thashë më lart: ne na mungon një bekim. Dhe ky është ajo që të dish, dmth të kesh një vision, por patjetër ama të duhet dhe një projekt, një udhëheqje sipas një plani të saktë, praktik, të realizueshëm që prin te vizioni i kërkuar.

4.

Në Shqipëri pak e dinë se hebrenjtë e shpëtuar nga kampet hitleriane të vdekjes më 1945, prapë u futën në kampe refugjatësh. Shpëtuan nga holokausti, nga zhdukja dhe tashmë në liri, me aq trauma dhe plagë - fëmijë pa prindër, të çmendur nga tortura dhe nga fytyra e tmerruar e vdekjes që aq çnjerëzisht e mizorisht mbetej e fiksuar në ekranet e syve të tyre - dhe prapë në kampe refugjatësh. Bomba hebraike u mbeti në dorë fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore. Ku t’i çonin këta të mbijetuar nga tmerret e Aushvicit, Dakaut etj? Ata ishin një popull pa atdhe, një komb pa tokë. Kur gjithë bota festonte fitoren mbi fashizmin, hebrenjtë prapë ishin në mes të katër rrugëve dhe në mëshirën e kampeve të krijuara nga UNRA. Prapë në kampe? Atyre u duhej një tokë, një komb, një atdhe. Bota me kohë e kishte përvetësuar kulturën e tyre të lashtë, thellësitë e biblës hebraike. Pa atë, do të kishim mangut një nga thesaret më të mëdha të rruzullimit. Thesaret ua donte njerëzimi, por ata si popull për dymijë vjet i linte nën inkuizicion, në geto, në kampe. Me krijimin e këtij atdheu, e këtij shteti izraelit, pas dymijë vjet shpërbërjeje dhe gjenocidi, merret romani Eksodi i Leon Uris.

5.

Unë nuk do të merrem, të shpjegoj romanin. Ajo çfarë më mbreson mua si lexues shqiptar, ajo çfarë më sugjeron ky roman për ringritjen nga tmerri i vuajtjeve mbetet për gjithkënd një nga shfaqjet e fuqisë njerëzore, një shfaqje e pashoqe e dëshirës për të kërkuar një identitet, për të gjetur në këtë botë fytyrën tënde, atë se kush jemi ne si komb, cili është vendi ynë ndër popuj të tjerë në këtë botë, dhe, në se ne e duam dhe jemi të vendosur që ta gjejmë vendin tonë ndër popuj të tjerë, së pari, duhen kërkuar forcat dhe burimet e energjisë brenda vetes, pastaj këto duhet dhe t’ua dëshmojmë të tjerëve, se kështu dhe vetëm kështu mund të afirmohemi dhe të kemi të drejtën të jemi. Ne duhet ta marrim vendin tonë në këtë botë dhe jo të na e falin të tjerët- ky është një mësim i madh që vjen nga ky roman historik, dmth nga një histori, nga një popull, nga një përvojë jo e largët, nga një përvojë moderne e shekullit të njëzetë. Hebrenjtë e dalë nga kampet e vdekjes, e blenë pëllëmbë për pëllëmbë tokën e atdheut të tyre mitik, atdheun e Davidit dhe të Solomonit, pastaj shkretëtirën e kthyen në tokë të banuar e të lulëzuar dhe, njëherësh, me armë në dorë natë e ditë ishin të gatshëm ta mbronin deri me jetën e tyre këtë tokë, këtë popull, këtë komb, këtë kulturë. Kjo i vuri në armiqësi që mbetet dhe sot e gjithë ditën me popuj të tjerë përqark tyre, por si mund të bëhet ndryshe kur do një atdhe, një tokë, një komb, një kulturë? Në se i do, duhet dhe të dish t’i mbrosh. Sot, kur në viset tona flitet për një identitet evropian, izraelitët, që para 4 mijë vjetësh, që nga kohët biblike të Abrahamit, na thonë se bota në esencë është po ajo: një popull, një komb, një tokë, një kulturë. Mbroji dhe mos i humb ato. Ndryshe do të kthehesh në një vend refugjatësh, pa atdhe e pa identitet. Kampet e vdekjes të presin.

Dhe thonë që romanet bestseller janë të dyshimtë në vlera, nuk duhen lexuar! Për mua, lexojeni Eksodin. Përkthimi i të ndjerit Robert Shvarc është me aq shije. Si gjithmonë, e shkëlqyer dhe kjo punë e fundit, botim postum i mjeshtrit të pashoq në përkthimet shqip.

Tiranë, 24 janar 2005

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›