E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria: “Atentati i Moisiut” është rastësi

27/01/2005  

TIRANË -Prokuroria Ushtarake ka vërtetuar se hyrja e parregullt e një makine në ambientet e ndaluara pranë banesës së Presidentit Moisiu në Tiranë, është një rastësi. Burimet zyrtare nga Prokuroria Ushtarake në Tiranë, thanë dje se pas hetimeve dhe marrjes në pyetje të personave të shoqëruar, rezulton që gjithçka të ketë qenë e rastësishme. Ngjarja ndodhi tri netë më parë dhe shkaktoi arrestimin e personit që drejtonte automjetin dhe dy efektivave të Gardës së Republikës, që ruanin banesën e Presidentit Moisiu. Sipas burimeve të Prokurorisë Ushtarake, drejtuesi i mjetit që ka kaluar në afërsi të banesës së Presidentit, ka pohuar se ishte drejtuar për në Sauk, por trafiku i rënduar dhe moti i keq i katër netëve më parë në Tiranë, e kishin detyruar të hynte në një rrugë që nuk e njihte mirë. Ndërsa, sipas Prokurorisë, dy gardistët e arrestuar janë fajtorë dhe pritet që sot të njihen me masën e sigurisë. Edhe pse makina nuk ka patur asnjë qëllim të keq, gardistët dyshohet se kanë qëndruar në pozicione të parregullta dhe se nuk kanë marrë masat e duhura për ndonjë të papritur të mundshme. Drejtuesi i makinës, i cili hyri në ambientet pranë Vilës nr.4, ku banon Moisiu, quhet Fatjon Sokoli. Ai është shoqëruar nga policia e Tiranës dhe është marrë në pyetje nga hetuesit. Ndërsa dy gardistët e arrestuar me akuzën e shkeljes së rregullave të shërbimit, janë Fran Përdoda dhe Arian Shelegu. Ata të dy akuzohen se kanë lejuar hyrjen e një makine të paautorizuar në mjediset ku jeton kreu i shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›