E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafa, deri në 2020 gjyqësori me godina të reja

27/01/2005  

TIRANË – Paraqitet masterplani për gjyqësorin nga Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me programin CARDS. Ndërsa bëhet një projekt për rregullimin e infrastrukturës së gjyqësorit, lihet në harresë gjykata më e re, ajo e Krimeve të Rënda. Kryetari i Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi, tha dje në takim se, për këtë gjykatë duhet të kushtohet vëmendje e veçantë, pasi deri tani ajo ende nuk ka një ndërtesë të vetën, por është duke punuar në ambientet e marra borxh nga Gjykata e Tiranës. Ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafa, në fjalën e tij, tha se duhet t'i kushtohet vëmendje infrastrukturës së gjyqësorit si në rregullimin e fasadave, ashtu dhe në ndërtimin e godinave të reja. Sipas Xhafës, rëndësi do t'i kushtohet edhe pajisjes së gjykatave me mjete. Qëllimi i këtij projekti të financuar nga Bashkimi Evropian, me një shumë prej 650.000 eurosh, është të përmirësojë gjendjen e infrastrukturës së gjykatave, që për vite me radhë ka vuajtur mungesën e investimeve. Në këtë masterplan përfshihen edhe detaje të punimeve arkitekturore të veçanta, që kanë të bëjnë me katër ndërtesa të Gjykatave të Apelit të Korçës dhe Vlorës dhe rinovimin e Gjykatës së Rrethit të Peshkopisë dhe Sarandës. Bazuar në studime dhe kërkime, masterplani propozon një strategji për 15 vitet në vazhdim, duke bërë rekomandime për autoritetet përgjegjëse, duke përcaktuar fazat për punimet e nevojshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›