Apeli lë në qeli Aldo Baren
Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda la dje në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke rrëzuar kërkesën e kreut të “Bandës së Lushnjës” për rifitimin e lirisë. Avokati: Klienti im u mbajt 1 vit e gjysmë padrejtësisht në qeli
TIRANë - Tri javë pas vendimit të Shkallës së Parë, edhe Apeli i Krimeve të Rënda ka lënë në qeli Aldo Baren, të cilësuar si kreu i “Bandës së Lushnjës”. Vendimi është marrë dje nga një kolegj penal, i cili argumentoi se kërkesa e Alfred Shkurtit është e pabazuar në ligj, ndaj si e tillë duhet të rrëzohet. Pavarësisht pretendimeve të avokatit mbrojtës, se klienti i tij është mbajtur për më shumë se një vit e gjysmë padrejtësisht në qeli, gjykata e rrëzoi këtë kërkesë, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, të marrë nga gjyqtarja e kontestuar, Fatmira Hajdari. Pas këtij vendimi, pritet që mbrojtësi ligjor i Aldo Bares t’i drejtohet me rekurs Gjykatës së Lartë, që mbetet shpresa e vetme e të shumëkërkuarit për rifitimin e lirisë. Vendimi i djeshëm i Apelit të Krimeve të Rënda pason atë të Shkallës së Parë, që vendosi të lërë në qeli Baren, të paktën deri në përfundim të procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij për një sërë akuzash të rënda. Menjëherë sapo u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg”, që Gjykata e Krimeve të Rënda kishte vendosur ndaj tij në mars të vitit 2006, Bare kërkoi shfuqizimin e këtij vendimi, me arsyetimin se ishte marrë në kundërshtim me ligjin.
Argumentet ligjore
Në kërkesën që lexoi dje para gjykatës, mbrojtësi ligjor i Aldo Bares argumentoi se klienti i tij është mbajtur për më shumë se një vit e gjysmë në burg, pa asnjë vendim që legjitimon një veprim të tillë. Duke iu referuar legjislacionit penal shqiptar dhe mënyrës sesi gjykata dhe prokuroria kanë vepruar me këtë çështje, avokati Vladimir Meçi tha se në këto kushte, gjykata duhet të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të Aldo Bares nga qelia. “Me vendimin nr. 70, datë 26.03.2006, në shkelje flagrante të ligjit procedural dhe atij penal, Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë ka vendosur si masë sigurimi në mungesë, ndaj të mbrojturit dhe përfaqësuarit prej meje Aldo Bare (Alfred Shkurti), atë të “arrestit në burg”, - thotë në kërkesën e tij avokati mbrojtës, i cili më pas sqaron përse prokuroria dhe gjykata kanë shkelur ligjin në vijimësi të këtij procesi. Avokati argumentoi se nga data 10 korrik 2007, kohë në të cilën çështja në ngarkim të Aldo Bares është regjistruar për gjykim, kanë filluar të ecin afatet e paraburgimit për të, duke i kaluar 2 vjet e 4 muaj. Në referim të ligjit procedural penal, avokati sqaroi se duhet të evidentohet se afati i paraburgimit nuk mund t’i kalojë për asnjë shkak e arsye caqet e përcaktuara në ligj, të cilat janë 12 muaj.
Vendimi i Hajdarit
Rreth tri javë më parë, gjyqtarja Fatmira Hajdari, e komanduar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për të gjykuar çështjen penale në ngarkim të Aldo Bares, vendosi të rrëzojë kërkesën e të pandehurit, për shfuqizimin e masës së sigurisë. Në seancën e parë të kësaj çështjeje, vetë Bare i kërkoi gjyqtares të heqë dorë nga kjo çështje, për shkak të ngarkesave politike dhe mediatike. Kjo kërkesë u pranua nga gjyqtarja Hajdari, e cila është e veja e deputetit demokrat, Azem Hajdari, por gjithçka u rrëzua nga kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda, i cili nuk pranoi dorëheqjen e gjyqtares. Në përgjigjen që kryetari i institucionit i kthente Bares, argumentohej se kërkesa e tij për përjashtimin e gjyqtares Fatmira Hajdari nuk është e bazuar në ligj. Sipas tij, argumenti se çështja mund të ketë ndikim politik nuk qëndron, pasi gjykata është institucion i pavarur nga politika, arsye kjo e mjaftueshme për të rrëzuar kërkesën e Aldo Bares për përjashtimin e gjyqtares. Po në këtë seancë, gjyqtarja Hajdari vendosi të rrëzojë kërkesën e kreut të “Bandës së Lushnjës” për shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, ndërsa avokati i tij mbrojtës e apeloi vendimin. Ditën e djeshme edhe Apeli la në fuqi këtë vendim, duke shuar kështu shpresat e Bares për të rifituar lirinë e munguar prej marsit të vitit 2006, kur u arrestua në Turqi.
Prokuroria
Bare, akuza për 5 vrasje
Aldo Bare së bashku me Enver Dondollakun dhe anëtarët e tjerë të “Bandës së Lushnjës” akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për të paktën pesë vrasje dhe një sërë krimesh të tjera të kryera në kuadër të organizatës kriminale. Pas ndarjes së çështjes nga i pandehuri Enver Dondollaku, gjykata vendosi të gjykojë veçmas kreun e “Bandës së Lushnjës” për vrasjen e Xhevat Demirit, Nimet Zenelit, tentativën e vrasjes së Gramoz Selmanit, Masar Aliut dhe më pas vrasjen e po këtij shtetasi. Po ashtu, Bare do të përballet në gjykatë edhe me akuzën e vrasjes së shtetasit Idajet Beqirit, si dhe “shkatërrimit të pronës me zjarr”, “vjedhje me dhunë” në bashkëpunim dhe “plagosje të rëndë me dashje”. Policia e Shtetit tha zyrtarisht, se Aldo Bare është nën hetim edhe për dy vrasje të bujshme të ndodhura në qytetin e Lushnjës, ku njëra prej viktimave është ish-drejtori i SHIK-ut të këtij qyteti.
Akuza/34-vjeçari mori 13 bileta pa paguar
Mashtroi agjencinë e udhëtimit, gjykata e dënon me 1 vit burg
TIRANë - Një 34-vjeçar nga kryeqyteti është dënuar nga gjykata me një vit heqje lirie, pasi mashtroi një agjenci udhëtimi. Sipas gjykatës, Ilmi K. në mirëbesim ka marrë 13 bileta udhëtimi të linjës Tiranë-Athinë, duke premtuar se paratë do t’i sillte të nesërmen. Por sipas kallëzueses, e cila është edhe administratore e kompanisë së mashtruar, 34-vjeçari nuk është kthyer për të paguar vlerën e biletave, të cilat kapnin shumën e 5 mijë e 900 eurove. Sipas shpjegimeve që kanë dhënë para gjykatës i pandehuri dhe denoncuesja, është konfirmuar fakti se në mirëbesim, Ilmi K. ka marrë biletat, duke qenë në dijeni të faktit se nuk mund të përballonte faturën financiare të tyre. Ai ka marrë sërish kontakt me administratoren e agjencisë, rreth 6 muaj pasi kishte përfituar biletat, duke i premtuar asaj se do t’i shlyejë paratë. Sipas prokurorisë, konfirmohet se ai ka kaluar në llogarinë bankare të kompanisë vlerën prej 4 mijë eurosh, duke premtuar shlyerjen e të gjithë borxhit, por një gjë të tillë nuk e ka bërë. Pas këtij veprimi, administratorja ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës, e cila pas hetimit të çështjes, ngriti ndaj 34-vjeçarit Ilmi K. akuzën e mashtrimit. Kjo akuzë u provua edhe para gjykatës, e cila e dënoi të pandehurin me një vit heqje lire, por duke pezulluar ekzekutimin e vendimit, me një afat për dy vjet. Kryesisht gjatë vitit të shkuar, Gjykata e Tiranës ka marrë në shqyrtim një numër të konsiderueshëm çështjes, që kanë si objekt veprën penale të mashtrimit. Sipas shifrave zyrtare, numri i këtyre dosjeve, krahasuar me vitin 2008, është rritur ndjeshëm, ku një vend të rëndësishëm zë edhe mashtrimi që persona të ndryshëm kanë bërë për të përfituar pension pleqërie në mënyrë të paligjshme.
Vjedhin me dhunë, ndalohen tre të rinj
TIRANë - Tre të rinj janë ndaluar nga policia për vjedhje me dhunë. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës ka bërë të ditur dje se, efektivët e Komisariatin e Policisë Nr. 3 kanë vënë në pranga në flagrancë Arlind Muçën, 21 vjeç, lindur në Has dhe banues në Bathore, Vaim Tanushin, 21 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Bathore dhe Hafiz Dacin, 22 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Bathore, i proceduar për veprën penale të “kundërshtimit të punonjësit të policisë”. Burimet nga policia thanë se arrestimi i tyre është bërë, pasi dy ditë më parë në “Rrugën e Durrësit” janë kapur në flagrancë, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë vjedhur me dhunë telefonin celular të një qytetari. Pas marrjes së telefonit, pronari ka bërë denoncimin dhe më pas, uniformat blu kanë ndaluar të dyshuarit dhe u kanë bllokuar telefonin celular të markës “LG” dixhital, tip “Iphone”.
Kapet hajduti i 2 mijë eurove
TIRANë - Vjedh një banesë në bashkëpunim me dy persona të tjerë, bie në pranga një 19-vjeçar. Policia e kryeqytetit ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme, se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë bërë të mundur kapjen e të kërkuarit Kreshnik Mziu, 19 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë. Sipas policisë, ky person ishte shpallur në kërkim më datë 7 dhjetor 2009. Që nga ajo ditë ai ishte i kërkuar dhe dy ditë më parë policia ka ekzekutuar urdhrin e prokurorisë, pasi dyshohet se i ndaluari më 3 dhjetor 2009, në bashkëpunim edhe me dy persona të tjerë kanë vjedhur banesën në pronësi të një qytetari. Në këtë shtëpi ata kishin marrë 2 mijë euro, 2 kasetofonë makine, 2 ora floriri, një byzylyk floriri, një unazë floriri dhe një makinë qethëse me ngjyre të zezë. Pas arrestimit, dosja i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës.
Godet policin rrugor, arrestohet
TIRANë - Ofendon dhe godet policin e rrugores, arrestohet një 45-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme në autostradën Tiranë-Durrës. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë të ditur dje, se nga shërbimet e hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 6 është bërë arrestimi në flagrancë të shtetasit Mark Tanushi, 45 vjeç, lindur dhe banues në Babrru. I arrestuari kishte qenë dhe një herë më parë i dënuar për “vjedhje”. Sipas policisë, vënia në pranga e 45-vjeçarit është bërë, pasi dyshohet se në superstradën Durrës-Tiranë ka goditur për shkak të detyrës një punonjës të Policisë Rrugore. Pas ngjarjes ka qenë efektivi blu që ka bërë denoncimin me pasojë arrestimin e të dyshuarit. Pas ndalimit të tij, dosja me materiale do t’i kalojë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “goditjes për shkak të detyrës”.