E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet në Koman tropojani i kërkuar për vrasje

 
Ylli Biberi akuzohet për vrasjen e Artan Allushit dhe plagosjen e dy të afërmve të tij. I kërkuari kishte arritur t’u shpëtonte disa operacioneve të policisë
 
 
Artan CENA
TIRANë - I kërkuar prej më shumë se 6 muajsh dhe pasi i kishte shpëtuar disa herë policisë, më në fund është vënë në pranga një i ri i akuzuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se në pranga është vënë Ylli Biberi, 27 vjeç, nga Tropoja, por me banim në Kamzë, Tiranë. Ai është nën masën e sigurisë “arrest me burg”, të dhënë nga Gjykata e Tiranës, për vrasjen e Artan Allushit dhe plagosjen e dy personave të tjerë. Vënia në pranga e tij është bërë gjatë operacionit të koduar “Koman”, pasi i riu po përpiqej të kalonte në drejtim të Tropojës, ku më pas mund të largohej për jashtë vendit, me qëllim që t’i shpëtonte arrestimit. Ngjarja për të cilën është vënë në pranga i riu ka ndodhur në datën 26 korrik 2009, përballë doganës së Tiranës. Por tri ditë pas ngjarjes u arrestua Bashkim Qefalia, që është bashkëpunëtor me të arrestuarin e djeshëm. Që prej ditës së ngjarjes, Biberi kishte mundur të arratisej nga policia. Por dje informacionet kanë qenë të sakta dhe më në fund, në Koman ai është vënë në pranga, gjatë bashkëpunimit të RENEA-s me efektivët e Sektorit të Operacioneve në Policinë e Tiranës.
Pasi kishim marrë informacione, në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, efektivë të Drejtorisë së Policisë së Tiranës në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA kanë bërë operacionin policor i koduar “Komani”, gjatë të cilit u kap i shumë të kërkuarit Ylli Biberi, 27 vjeç, lindur në Tropojë e banues në Kamzë të Tiranës. Burime zyrtare nga policia thanë se në ngarkim të tij, Gjykata e Rrethit Gjyqësor ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, duke e akuzuar për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, si dhe “armëmbajtjes pa leje”. “I kërkuari ishte në ndjekje prej 5 muajsh dhe falë shërbimeve policore u arrit arrestimi i tij në Koman të Shkodrës, në tentativë për t’u larguar në qytetin e Tropojës”, thuhet në njoftimin zyrtare të uniformave blu. 
Biberi akuzohet se më datë 26 korrik 2009, në afërsi të Doganës në Tiranë, në bashkëpunim me Bashkim Qefalinë, që aktualisht vuan dënimin, kanë vrarë me armë zjarri për motive të dobëta Artan Allushin, 22 vjeç, si dhe kanë plagosur dy persona të tjerë. Arrestimi i Qefalisë ishte bërë tri ditë pas vrasjes. Bashkim Qefalia, 38 vjeç, nga Babrruja, u vu në pranga arrestuar në orët e para të mëngjesit, në një fshat në periferi të Tiranës, ku ishte strehuar për t'i shpëtuar arrestimit nga ana e uniformave blu. Ai ishte i plagosur në kokë, nga përleshja e ditës së ngjarjes mes tij dhe tre personave nga fisi Allushi. Qefalia ka rrëfyer para hetuesve të gjithë skemën e ngjarjes që u mbyll me një të vdekur dhe dy të plagosur nga i njëjti fis.
Ngjarja
Artan Allushi, 26 vjeç, u qëllua për vdekje pas një konflikti të ndodhur më 26 korrik rreth orës 12 e 15 minuta me Bashkim Qefalinë, si dhe u plagosën dy të tjerë të afërm të tij, Kujtim Allushi, 50 vjeç dhe Nertil Allushi, 22 vjeç, banues në Zall- Herr, të cilët ishin përfshirë në sherrin me autorin e dyshuar të ngjarjes dhe bashkëpunëtorëve të tij. Para se të ndodhte vrasja, autori dhe bashkëpunëtorët e tij ishin konfliktuar me viktimën dhe dy të plagosurit, të cilët ishin qëlluar mes tyre me sende të forta, ku në grindje e sipër Bashkim Qefalia, që dyshohet nga policia si personi që ka kryer krimin, ka nxjerrë pistoletën, duke qëlluar në drejtim të palës kundërshtare. Nga të shtënat mbetën të plagosur të tre personat nga fisi Allushi, ku Artani, i cili kishte marrë plagën më të rëndë, ndërroi jetë gjatë transportimit për në Spitalin Ushtarak.
 
 
 
71-vjeçari u gjend i vrarë në fshatin e tij të lindjes
 
Masakroi me sëpatë të moshuarin, arrestohet 66-vjeçari
 
TIRANë - Një i moshuar është vënë në pranga për akuzën e vrasjes së një 71-vjeçari. Ferhat Qazim çullhaj, 66 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Gror, komuna Pezë, është ndaluar për vrasjen e Shefik Grorit, në datën 4 janar të këtij viti. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës. Sipas tyre, nga efektivët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës, pranë Policisë së Tiranës, është bërë arrestimi i Ferhat çullhajt, 66 vjeç. Ai dyshohet se ka goditur me një sëpatë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme Shefik Grorin, 71 vjeç, me banim në Tiranë, ngjarje kjo e ndodhur disa ditë më parë në fshatin Gror të Tiranës. Sipas të dhënave zyrtare nga uniformat blu, rreth orës 11:00 të katër ditëve më parë, në fshatin Gror është gjetur i vdekur Shefik Ahmet Grori, 71 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Ky person ishte larguar nga banesa e tij në Tiranë që më datë 25 dhjetor 2009 dhe kishte shkuar për të jetuar te pronat e tij të ndodhur në fshatin Gror, ku dhe jetonte i vetmuar për disa kohë, pasi banesën e kishte në lagjen “Allias” në kryeqytet. Nga dëshmitë e mbledhura nga uniformat blu, i moshuari që në datën 25 ishte larguar nga banesa e tij në lagjen “Allias” në Tiranë dhe kishte shkuar te pronat në fshatin Gror. Këtu ai kishte ndërtuar një kasolle, ku rrinte ndonjë ditë, pasi largohej nga banesa tjetër. Ndërkaq, mësohet se ai kujdesej dhe për pronat, në të cilat kishte të mbjella kultura të ndryshme bujqësore. Të parët që kanë shkuar në vendin e ngjarjes kanë qenë efektivët e Komisariatit Nr. 4, të cilët kanë marrë dhe njoftimin me anë të një telefonate. Këta të fundit kanë shkuar në vendin e njoftuar me telefonatë, por kanë pritur specialistët e Sektorit të Krimit Kundër Jetës dhe Shëndetit. Sipas policisë, nga grupi hetimor u kryen veprimet procedurale, ndërsa në cilësinë e provës materiale është sekuestruar sëpata, si mjet i kryerjes së krimit. Dosja i në ngarkim të Ferhat çullhajt do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “vrasjes me dashje”.
 
 
 
12 vjet në kërkim, arrestohet në Romë
TIRANë - Vjen në pranga i kërkuari për vrasje në tentativë. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit kanë bërë të ditur dje se, në sajë të bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës është bërë e mundur kapja e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar Riza Shaban Vatoci, 38 vjeç, nga Tropoja. Për këtë person, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë me vendim të datës 26 mars të vitit 1998, ka vendosur që ta dënojë me 15 vjet heqje lirie për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”. Shtetasi Riza Vatoci është arrestuar me qëllim ekstradimi gjatë ditës së djeshme në Itali. Menjëherë pas krimit ai ishte larguar drejt shtetit fqinj, ku atje jetonte dhe punonte pa u shqetësuar. Por shpallja në kërkim ndërkombëtar dhe marrja e informacioneve nga ana e policisë shqiptare ka bërë të mundur që ai të vihet në pranga. Pas sjelljes në Shqipëri, Vatoci do të vuajë dënimin e dhënë nga gjykata 12 vite më parë.
 
 
Trafik droge, 13 kosovarë në pranga
GJENEVë - Policia zvicerane ka vënë në pranga 13 shqiptarë nga Kosova dhe sipas medias, me këto arrestime është ndërprerë një rrjet të trafikimit të drogës nga Kosova në Zvicër. Operacioni antidrogë, i cili ka nisur pesë muaj më parë, është finalizuar me kapjen e 42 kilogramë heroinë, si dhe me arrestimin e 14 personave, nga të cilët 13 shqiptarë nga Kosova dhe një shtetas spanjoll. Televizioni shtetëror në Zvicër lajmëroi se droga ishte nisur nga qyteti i Pejës në Kosovë. Hetuesit konfirmojnë se lënda narkotike është shitur në Lozanë, Zürich dhe Neuchatel në Zvicër. Sipas policisë, rrjeti trafikonte drogë të pastër në shkallën 33 për qind, rreth tri herë më shumë sesa kërkohet nga përdoruesit. Një prej anëtarëve të rrjetit mësohet se ishte përgjegjësi për mbledhjen e parave që grumbulloheshin në Kosovë, ndërsa 12 të tjerët kryenin rolin e korrierëve.
 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›