E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zihen në autobus, ther bashkëfshatarin

Tmerrohen pasagjerët
 

 
Policia tha se autori dhe viktima kanë nisur të grinden mes tyre pas konfliktit të nisur në autobusin e linjës Tiranë-Ndroq. Të paktën 150 forca policie janë angazhuar për arrestimin e të dyshuarit si autor të vrasjes
 
 
 Artan CENA
TIRANë - Një sherr për motive banale i ndodhur në autobusin e linjës Tiranë-Ndroq, ka përfunduar me një të vdekur dhe një të arrestuar. Një 37-vjeçar nga fshati Ndroq ka mbetur i vrarë, pasi është qëlluar në fyt me thikë nga një bashkëfshatar i tij, i cili është arrestuar, pas përfshirjes në operacion të një numri të madh forcash policie. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në “Rrugën e Kavajës”, në afërsi të pallatit me shigjeta, brenda në autobusin ku udhëtonin viktima dhe autori. Sipas policisë, viktima është Arben Goga, 37 vjeç, i cili në fillim është plagosur, por më pas ka humbur jetën gjatë rrugës, duke u dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Menjëherë është identifikuar edhe autori i dyshuar i kësaj vrasjeje, i cili është Nezir Malliku, 42 vjeç, me banim në fshatin Ndroq. Pas ngjarjes, janë angazhuar forca të shumta policie, të cilat kanë arritur të vënë në pranga autorin e dyshuar, i cili akuzohet për vrasje me dashje.
Ngjarja
Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në orën 16:30, në drejtim të vendit ku kishte ndodhur përplasja kanë shkuar forca të shumta policie. Pas identifikimit të të dyshuarit, në operacion janë angazhuar më shumë se 150 efektivë të Policisë së Tiranës, të cilët kanë mundur të vejnë në pranga brenda një ore 42-vjeçarin. “Në orën 16:30, në linjën e autobusit Tiranë-Ndroq, në afërsi të ish-Parkut në Tiranë, pas një konfliktit për motive të dobëta, është goditur me armë të ftohtë, thikë, shtetasi Arben Goga, 37 vjeç, i cili u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku më pas gjeti vdekjen”, thanë dje burimet zyrtare të policisë së kryeqytetit. Sipas dëshmitarëve, thuhet se sherri mes dy burrave kishte nisur për një zënkë në autobusin e linjës Ndroq-Tiranë. Siç mësohet, viktima dhe autori i dyshuari kishin konsumuar sasi alkooli dhe gjatë udhëtimit me autobus kishin shtyrë njëri-tjetrin. Këtu ka nisur ka nisur zënka mes autorit të dyshuar dhe viktimës. Pasi autobusi ka ecur për disa minuta, nga 21 dhjetorit deri te pallati me shigjeta, sherri mes dy burrave kishte vazhduar. Në këtë vend, Nezir Malliku, 42 vjeç, ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur 37-vjeçarin në fyt.
Policia
Menjëherë ka ndaluar autobusi dhe personat që ndodheshin në të e kanë nisur me urgjencë Arben Gogën në drejtim të Spitalit Ushtarak, por ai nuk ka mundur të shpëtojë nga plagët e marra. 37-vjeçari kishte ndërruar jetë gjatë rrugës. Pas njoftimit, në drejtim të vendit të ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie. Ata kanë marrë masat dhe kanë siguruar vendin e krimit dhe më pas kanë marrë dëshmitë e personave që ndodheshin në autobus. Këta të fundit kanë treguar për uniformat blu, se autor ishte 42-vjeçari Malliku. Pas këtij informacioni, efektivët e policisë së Tiranës kanë nisur ndjekjen e të dyshuarit dhe pas angazhimit të më shumë se 150 uniformave blu, ai është vënë në pranga një orë pas ngjarjes, në tentativë për t’u larguar drejt fshatit të tij, Ndroq.
“Efektivët e Policisë së Tiranës bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit në kodrat e fshatit Ndroq, i cili dyshohet të jetë 42-vjeçari Nezir Malliku, me banim në Ndroq të Tiranës. Në këtë operacion u angazhuan afro 150 forca policore, i cili finalizua brenda një ore, me synim kapjen e autorit. Paraprakisht, dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një grindjeje të çastit midis viktimës dhe autorit”, thanë gjatë ditës së djeshme burimet zyrtare nga uniformat blu të kryeqytetit.
 
 
AKUZAT
Burime nga policia e kryeqytetit thanë se ndaj Nezir Mallikut është marrë masa e arrestit në flagrancë për veprën penale të “vrasjes me dashje”. Pas arrestimit të tij dhe përgatitjes së dosjes, materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme.
 
 
Pranga të riut për plagosje me thikë
TIRANë - Një sherr mes dy personave ka përfunduar me një të plagosur dhe një të arrestuar. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në lagjen numër 2 të qytetit të Kavajës. Burime policore thanë se kanë bërë arrestimin në flagrancë të Medi Myslimajt, 25 vjeç, banues në Kavajë. Ndjekja dhe arrestimi i tij është bërë, pasi në lagjen 2 në Kavajë dyshohet se ka goditur disa herë me armë të ftohtë, thikë, në pjesën e trupit, për motive të dobëta, Naim Haxhiun, 41 vjeç, me banim në Kavajë. Policia ka zbardhur ngjarjen dhe burimet kanë bërë të ditur se dy personat kanë pasur një sherr të mëparshëm dhe 25-vjeçari gjatë ditës së djeshme ka marrë thikën dhe ka dashur të hakmerret ndaj 45-vjeçarit. Sipas policisë, pas kryerjes së veprimeve procedurale, i dëmtuari ndodhet i shtruar në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën. Pas arrestimit të të dyshuarit, dosja me materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Kavajë, për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje”.
 
 
Vjedhin 3 dele, arrestohen katër persona
TIRANë - Katër persona kanë rënë në pranga, pasi kanë vjedhur tri dele. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se dy ditë më parë, nga shërbimet e hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 4 është kryer arrestimi në flagrancë i Barim Florës, 30 vjeç, lindur dhe banues në Zall-Bastar, i proceduar më parë për vjedhje me armë; Dedë Prelës, 41 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, Seit Basriut, 27 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe Fatmir Rakipit, 37 vjeç, lindur në Shijak dhe banues në Tiranë. Sipas policisë, arrestimi i tyre është bërë, pasi në fshatin Vilz, komuna Zall-Bastar, dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur tri kokë dele, në një banesë në pronësi të një shtetasi. Pas arrestimit të tyre janë kryer veprimet procedurale dhe në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Benz 240”, ngjyrë blu, me targë TR 6832 A dhe tri delet në bagazh. Dosja me materialet do t’i kalojnë prokurorisë për veprat penale të “vjedhjes” dhe “përvetësimit të parave” në bashkëpunim.
 
 
Tentojnë të përdhunojnë të miturën, 2 të rinjtë në pranga
ELBASAN - Tentuan të përdhunojnë me anë të mashtrimit 14-vjeçaren, ndalohen nga policia të rinjtë. Sektori i krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit arrestoi Olsi Bardhin, 22 vjeç dhe Hajdar Krujën, 21 vjeç, me banim në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të kryejnë marrëdhënie seksuale me të miturën me inicialet R. R., me banim në të njëjtën lagje. Në të njëjtën kohë, policia ka filluar procedimin penal për dy kushërirat e saj, R. R., 18 vjeçe dhe R. R.. 14 vjeçe, të cilat kanë bërë dëshmi të rremë rreth kësaj ngjarjeje. Burime policore deklarojnë se këto shtetase kanë qenë të shpallura në kërkim për largim nga banesa dhe trafikim në shtetin grek. 
M. K.
 
 
Shkatërrohet banda italo-shqiptare e drogës
ABRUCO - Një operacion policor blic në rajonin e Abrucos në Itali, çon në shkatërrimin e një bande italo-shqiptare të trafikut të drogës. Sipas njoftimeve zyrtare, 12 persona ranë në pranga, por nuk dihet sa prej tyre janë shqiptarë. Organizata drejtonte tregun e shpërndarjes së kokainës në Peskara, Verona, Ankona dhe Akuila. Gjatë periudhës, gati njëvjeçare, shtator 2008-gusht 2009, hetimet çuan në sekuestrimin e 2 kilogramëve kokainë, të një cilësie të lartë.
 
 
 
 
Arrestohen tre persona të shpallur në kërkim
KUKëS - Paraditja e së hënës ka sjellë arrestimin e tre personave të shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Kukës. Sipas këtij dikasteri, të tre personat akuzohen se kanë kryer veprën penale kryesisht të vjedhjes. Bëhet fjalë për Ahmet Sinanin, 24 vjeç, nga Kukësi, i cili ishte shpallur në kërkim në fillim të dhjetorit të vitit 2009 me akuzën e vjedhjes së pasurisë dhe shkatërrimit të pronës së tjetrit me zjarr, u arrestua në orët e para të mëngjesit në hyrje të tregut industrial të Kukësit. Një orë më vonë, policia ka arrestuar 20-vjeçarin Erion Zeneli, i cili kërkohej gjithashtu nga policia për akuzën “tentativë për vjedhje”, të kryer në dhjetor të vitit të shkuar. I arrestuari tjetër është Gjovalin Prendi, 29 vjeç, i cili kërkohej me akuzën për dhënie ndihme të kalimit të paligjshëm të kufirit, vepër e cila sipas burimit të cituar, ka ndodhur gjashtë muaj më parë. Në kufirin e gjelbër Shqipëri-Kosovë, ku i kërkuari kishte ndihmuar në kalimin e paligjshëm të disa shtetasve që e synonin Europën në mënyrë ilegale. F. Tota
 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›