Sherri për lopën, një i vdekur dhe një i plagosur
Konflikti mes fqinjëve
Policia mban të rrethuara dy familjet nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme. Shoqërohen në komisariat katër anëtarë të familjes Bushi
Aleks Kalemasi
DURRëS - Një sherr i nisur rreth dy muaj më parë mes dy familjeve fqinje në një fshat në periferi të Durrësit, ka përfunduar me një të vdekur dhe një të plagosur. Dy vëllezër të familjes Lazri janë qëlluar pasditen e djeshme me armë zjarri në fshatin Rinia nga fqinji i tyre, dhe si pasojë është vrarë 22-vjeçari Prend Lazri, ndërsa është plagosur vëllai i tij, 35 vjeç, i cili është transportuar me urgjencë në spitalin e Durrësit. Sipas policisë, ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:30 në fshatin Rinia, 12 km larg qytetit të Durrësit, kur dy vëllezërit dhe fqinji i tyre kanë nisur të debatojnë, për shkak të një konfliktit të nisur dy muaj më parë. Policia tha se shkak i zënkave të vazhdueshme është bërë një lopë e njërës prej familjeve, e cila ka kaluar në tokën e familjes tjetër, duke dëmtuar bahçen. Kaq ka mjaftuar, që dy familjet e ardhura në fshatin Rinia të Durrësit nga Shkodra dhe Dibra të nisin një konflikt mes tyre, i cili përfundoi tragjikisht pasditen e djeshme.
Ngjarja
Ngjarja mësohet se ka ndodhur për motive banale, ndërkohë që ka pasur prapavijë një konflikt të vjetër midis dy familjeve të përfshira në konflikt. Familja Lazri e ardhur nga Shkodra prej disa muajsh ishte përfshirë në debate dhe konflikte me një tjetër familje të këtij fshati me origjinë nga Dibra. Pasditen e djeshme konflikti ka shpërthyer përsëri, por këtë radhë me pasoja të rënda. Nga të shtënat me armë ka vdekur në vend Preng Lazri, ndërsa vëllai i tij, Gjergj Lazri, është dërguar në gjendje të rëndë drejt spitalit të Durrësit.
Burime të policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se shkak për sherrin që përfundoi me një të vrarë dhe një tjetër të plagosur rëndë ka qenë një lopë që ka hyrë në tokën e njërës prej familjeve të përfshira në konflikt. Bëhet fjalë për familjen Lazri nga Shkodra dhe familjen Bushi nga Dibra. Para rreth dy muajsh, një lopë ka hyrë në tokën e familjes Lazri dhe për këtë arsye kanë nisur zënkat. Ditën e djeshme është kërkuar që të sqarohen gjërat për “sherrin e vjetër”, por Hysni Bushi bashkë me tre djemtë në kohën që kanë nisur debatet, kanë nisur edhe të qëllojnë me pistoletë ndaj dy vëllezërve.
Hetimi
Nuk dihet se cili nga katër personat ka qëlluar në drejtim të dy vëllezërve, por policia është duke hetuar intensivisht për të përcaktuar autorin që ka pasur pistoletën në kohën që ka ndodhur vrasja. Pas ngjarjes, efektivat e shumta policore që kanë mbërritur në vendngjarje kanë shoqëruar shtetasin Hysni Bushi, si dhe tre djemtë e tij, Bekim, Sadik dhe Ruzhdi Bushi. Efektivat policore të Komisariatit të Durrësit kanë rrethuar dhe kanë marrë në mbrojtje pjesëtarët e mbetur të të dyja familjeve, për të evituar ndonjë hakmarrje të mundshme nga ana e familjes që pësoi një të vrarë dhe një tjetër të plagosur. Paralelisht me hetimet dhe shoqërimin e katër personave të familjes Bushi në polici, në spitalin rajonal të Durrësit mjekët që kanë qenë në urgjencë janë marrë me dhënien e ndihmës së parë për Gjergj Lazrin, 35 vjeç. Nga të dhënat e para mësohet se ai e ka kaluar rrezikun për jetën, por ende nuk flitet me siguri të plotë për shëndetin e tij. Grupi hetimor i policisë së Durrësit ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa gëzhoja të pistoletës që janë gjetur në vendngjarje, por nuk ka mundur të gjejë armën me të cilën është kryer krimi.