Bllokohen 700 kg lëndë narkotike, policia e Gjirokastrës nis aksionin për kapjen e dy transportuesve
Gjirokastër
GJIROKASTëR – Sasia e drogës së kultivuar në fshatin Lazarat vitin e fundit dhe që në përpjekje për t’u transportuar përtej kufijve jugorë të vendit është kapur nga policia shqiptare vazhdon të rritet në nivele rekordesh kombëtare. Ditën e djeshme, uniformat blu të Gjirokastrës kanë arritur të kapin një tjetër sasi të madhe hashashi, i cili kishte si destinacion trafikimin drejt Greqisë, por nuk kanë mundur të prangosin pronarët e lëndës narkotike.
Ngjarja
Gjithçka ka ndodhur dje paradite rreth orës 11:30, kur policia bllokoi 700 kilogramë lëndë narkotike të llojit kanabis sativa. Gentian Mullai, zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës ka pohuar për mediat, se lënda narkotike që u bllokua në fshatin Jorgucat, rreth 20 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, transportohesh drejt Sarandës, me destinacion shtetet perëndimore.
Dy transportuesit e bimës narkotike, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi, kishin përzgjedhur një rrugë dytësore, larg rrugës kombëtare, por gjatë të aksionit ata kanë diktuar policinë dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur, duke braktisur automjetin tip “Benz”. “Policia e Gjirokastrës po punon për kapjen e tyre dhe në vendngjarje kanë mbërritur ekspertët e sektorit të luftës kundër trafikimit të lëndës narkotike”, shprehet Mullai. Ky është rasti i parë gjatë këtij viti, që Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bllokon një sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike.
Shtatorin e kaluar policia sekuestroi 30 metra larg vijës së gjelbër, në pikën kufitare të Kakavijës, 50 kg lëndë narkotike që transportohej nga kryetari i këshillit bashkiak të qytetit të Tepelenës, ndërsa në fillim të nëntorit ka sekuestruar 340 kg lëndë narkotike dhe arrestoi një këngëtar hit-popi. Me gjithë propagandimin me forcë të masave që policia e qytetit jugor mori gjatë vitit të kaluar për të frenuar fenomenin e kultivimit të lëndëve narkotike në këtë qark, e veçanërisht në fshatin Lazarat, kapja e sasive të tilla të drogës që kanë arritur deri tani në disa tonë, tregon se masat e marra nuk kanë qenë aspak efikase dhe nuk kanë mundur t’i pengojnë kultivuesit e drogës në aktivitetin e tyre të paligjshëm.
Kukës
Policia ndërpret kërkimet,
asnjë shpresë për 17-vjeçaren
Drejtori i Policisë
“Kemi kërkuar gjatë gjithë kësaj periudhe gati dyjavore dhe nuk kemi mundur që të gjejmë ndonjë gjurmë të vajzës në të gjithë rrjedhën e përroit. Procesin e kërkimeve na e vështirësoi së tepërmi situata meteorologjike, sidomos pas reshjeve të dëborës dhe shkrirjes së tyre”
Kukës - Policia e Kukësit ka ndërprerë kërkimet për gjetjen e 17-vjeçares, e cila dyshohet të jetë vetëmbytur në ujërat e përroit të fshatit Malqene të komunës Ujmisht, që ndodhet 15 km larg qytetit të Kukësit. Kërkimet janë pezulluar, pasi tani vëmendja është përqendruar në drejtime të tjera, e konkretisht në hidrocentralin e Fierzës, si rezultat i kushteve atmosferike.
Pas 13 ditësh kërkime të bëra nga forcat e Policisë së Kukësit për gjetjen e 17-vjeçares me iniciale R. T., e cila u zhduk në fshatin e saj ku banonte, dikasteri blu ka ndërprerë procesin e kërkimit. Lajmin e bën të ditur vetë drejtori i policisë së Kukësit, Ali Elezi, i cili thotë se gjatë së enjtes janë ndërprerë kërkimet. Sipas tij, shkak për këtë hap është bërë situata meteorologjike nëpër të cilën po kalon rrethi ynë. “Ne kemi kërkuar gjatë gjithë kësaj periudhe gati dyjavore dhe nuk kemi mundur që të gjejmë ndonjë gjurmë të vajzës në të gjithë rrjedhën e përroit. Po kështu kemi kërkuar edhe në gjithë sipërfaqen e liqenit në Kukës, pasi nëse vajza është vetëmbytur, trupin e saj mund ta nxirrte uji në breg të tij. Procesin e kërkimeve na e vështirësoi së tepërmi situata meteorologjike, sidomos pas reshjeve të dëborës dhe shkrirjes së tyre”, vijon më pas ai. Por Elezi nuk ka lënë të kuptojë se kërkimet kanë përfunduar këtu. Sipas tij, ato do të vijojnë sapo prurjet të ulen dhe uji në përrua të kthjellohet, pasi për momentin është shumë i turbullt. I pyetur nëse ka ndonjë tezë tjetër dyshimi për zhdukjen e vajzës, Elezi shprehet se asgjë nuk është vërtetuar. Kjo do të thotë se është hedhur poshtë hipoteza e arratisjes së saj me ndonjë person. Këtë, sipas Elezit, e kanë mohuar edhe vetë familjarët e 17-vjeçares, të cilët nuk kanë pasur dhe nuk kanë dijeni për ndonjë lidhje dashurie të vajzës së tyre. Ndërkohë, kjo e fundit nuk ka organizuar as ceremoni mortore, duke treguar se shpreson se ndonjë ditë trupi i vajzës do të gjendet dhe se vetëm atëherë do të hapte mortin në shtëpi.
Vajza me iniciale R. T., e cila kishte vetëm 17 vjet jetë, është zhdukur nga familja e saj më datë 26 të muajit dhjetor të vitit të kaluar. Kjo ka ndodhur në fshatin ku jetonte, pas një grindjeje që ka pasur me nënën e saj. Menjëherë pas kësaj ajo ka dalë nga banesa dhe sipas disa dëshmitarëve, ajo është parë teksa po qëndronte pranë urës së fshatit. Që nga ajo kohë, policia ka bërë kërkime, por ato kanë rezultuar të kota dhe jorezultative. Në breg të përroit të fshatit janë gjetur vetëm atletet, si dhe xhupi i saj. Vetëmbytja ka bënë dhe teza kryesore, së cilës i ka mëshuar jo vetëm policia, por dhe familjarët. Sipas tyre, këtë veprim mund ta ketë bërë në çaste depresioni.
Flutura Tota
Librazhd
Shembet shkolla nga rrëshqitja
e tokës, pezullohet mësimi
LIBRAZHD- Rrëshqitja e tokës ka dëmtuar rëndë shkollën e fshatit Zgosht në Librazhd. Zhvendosja e masave gjigande të dheut ka shembur një pjesë të murit anësor të saj dhe jashtë funksionit janë dy klasa. Zhvillimi i mësimit në këto kushte ka qenë mjaft me rrezik për jetën e nxënësve dhe arsimtarëve, ndaj procesi mësimor është ndërprerë. Drejtuesit e shkollës kanë lajmëruar Drejtorinë Arsimore. Ndërkohë, Drejtoria e Emergjencave Civile pranë Prefekturës Elbasan ka hartuar një projekt ndërhyrjeje për shkollën dhe mbrojtjen e saj. Projekti i është nisur Ministrisë së Arsimit, ku pritet të miratohet një fond që do të bërë të mundur mbrojtjen e godinës. Por sipas banorëve, avancimi është më i shpejtë sesa mbërritja e fondit dhe shkolla dalëngadalë mund të shembet totalisht. Në shkollën e Zgoshtit zhvillojnë mësim 235 nxënës, duke filluar nga kopshti e deri në shkollën e mesme. Personeli mësimor përbëhet nga 40 arsimtarë. Ndërtesa ka pësuar çarje të mëdha në themele, mure dhe çati dhe nuk është e sigurt.
M.Kalaja
Elbasan
Gjendet adoleshentja e zhdukur
Elbasan - Ishte zhdukur në mënyrë misterioze nga banesa, gjendet pas disa ditësh nga policia. Shërbimet e policisë së Elbasanit identifikuan dhe gjetën në një banesë 16-vjeçaren me inicialet M. L., me banim në lagjen “Visarion Xhuvani”, e cila rezultonte e humbur prej disa ditësh. Të alarmuar për fatin e vajzës, familjarët kanë njoftuar policinë. Policia ka shpërndarë foton e saj dhe nisur kërkimet. Adoleshentja është gjetur në një banesë në afërsi të Elbasanit dhe ka deklaruar në polici se është larguar me dëshirën e saj nga shtëpia. Dje ajo u është dorëzuar familjarëve. Largimet e të miturave dhe adoleshenteve nga shtëpia kanë marrë përmasa dhe janë kthyer në fenomen shqetësues në Elbasan.
M. K.