Gjendet saldatriçja që shkaktoi Gërdecin
Prokuroria i kërkon gjykatës të marrë si provë mbetjet e një mjeti, me të cilin dyshohet se është salduar karroca që shkaktoi zjarrin në fabrikën e Gërdecit. Vijojnë dëshmitë e punëtorëve të mitur: Në Gërdec firmosëm një letër të bardhë
Leonard Bakillari
TIRANë - Shkaku i tragjedisë së Gërdecit, edhe pse i zbardhur pak muaj pas ngjarjes, nuk ka qenë tërësisht i provuar, deri më 8 janar, kur sipas prokurorisë, është gjetur një provë mjaftë e rëndësishme për çështjen. Bëhet fjalë për një mjet tip saldatriçeje, e cila dyshohet se ka qenë në pronësi të Qemal Deliut, një nga viktimat e Gërdecit, i cili sipas hetimit ka salduar karrocën, e cila më pas shpërtheu në flakë, duke shkaktuar tragjedinë ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën me qindra të tjerë. Përfaqësuesit e akuzës thanë dje në gjykatë, se mbetjet e mjetit në fjalë janë gjetur më datën 8 janar, pranë banesës së të ndjerit, nga ekspertët që vazhdojnë të punojnë për rehabilitimin e zonës së dëmtuar. Duke qenë se organi i akuzës është palë në proces, prokurorët i kërkuan trupit gjykues, që saldatriçja të administrohet si provë me vendim gjykate, çka sipas tyre, përben një element tepër të rëndësishëm për të zbardhur gjithë detajet e ngjarjes tragjike të 15 marsit të vitit 2008. Për këtë kërkesë gjykata nuk u shpreh menjëherë, duke i sugjeruar prokurorisë ta kërkojë me shkrim administrimin e kësaj prove, duke argumentuar nevojat dhe arsyet përse ajo duhet përfshirë në proces. Gjatë seancës së djeshme, që nisi me rreth 40 minuta vonesë, për shkak të mungesës së një avokati mbrojtës, dëshmuan dy ish-punëtorë të mitur të fabrikës së demontimit të predhave, si dhe ish-drejtori ekzekutiv, Dritan Minxolli, i cili rikonfirmoi se në punishten e drejtuar prej tij ishin punësuar edhe të mitur.
Dëshmitë
Edion Leci, një nga tre ish-punëtorët e mitur të fabrikës së Gërdecit tregoi para gjykatës mënyrën sesi funksiononte punishtja, ku gjatë punës nuk mungonin as incidente, kryesisht me zjarre të rastësishme që fikeshin me mjete rrethanore. Thuajse si gjithë punonjësit e tjerë të fabrikës, edhe i mituri Leci tha para gjykatës, se personi që e kishte marrë në punë ishte Dritan Minxolli, i cili vinte herë pas herë në ambientet e brendshme të fabrikës. I mituri, që në atë kohë ishte 15 vjeç, tregoi se fillimisht ai kishte nisur punë në repartin e demontimit të fishekëve, ku paguhej me një mijë lekë nëse plotësonte normën. Pak kohë më vonë, sipas dëshmitarit, ai ishte transferuar në sektorin e paketimit të barutit që dilte nga demontimi i predhave, ku punonin edhe shumë të mitur të tjerë, të cilët sipas Minxollit ishin rreth 18. Në këtë punë, 15-vjeçari tha se paguhej me pagë fikse, 30 mijë lekë, edhe pse më parë nuk ishte trajnuar më parë për kryerjen e këtij procesi. I pyetur nëse kishte ndonjë kontratë punësimi nga drejtuesit e fabrikës, i mituri tha se në momentin që kishte filluar punë kishte firmosur vetëm një letër të bardhë, ku kishte shkruar emrin dhe firmën. Po ashtu, gjatë procesit të djeshëm ka dëshmuar edhe një tjetër ish-punëtor i mitur, Lulëzim M., i cili në kohën që ka nisur punë në fabrikën e Gërdecit ishte vetëm 13 vjeç. Ai rikonfirmoi thëniet e dëshmitarit të parë, duke treguar edhe mbi incidentet e njëpasnjëshme që ndodhnin në sektorin ku ai punonte, paketimin e barutit që dilte nga demontimi i predhave. Dëshmitari tha se, si pasojë e shkëndijave që krijoheshin nga përdorimi i mjeteve të forta, për demontimin e predhave, shpeshherë baruti merrte flakë, ndërsa punëtorët përdornin kova me ujë për shuarjen e zjarrit. Ai tha se gjatë punës nuk mbikëqyreshin nga asnjë përgjegjës apo drejtues të fabrikës, ndërsa nuk ishin trajnuar në momentin që kishin nisur të punonin në fabrikën e Gërdecit. Dëshmitari tregoi se në këtë punë kishte qëndruar për afro 6 muaj, por pagën nuk kishte arritur ta merrte të plotë, për shkak të shpërthimit tragjik që ndodhi më 15 mars të vitit 2006. Gjatë seancës së djeshme, gjykata kishte parashikuar të pyeteshin edhe ish-punëtorë të mitur të fabrikës së Gërdecit, të cilët nuk ishin paraqitur, ndërsa dy prej tyre nuk kishin marrë dokumente identifikimi me vete.
Ortaku i Delijorgjit, dëshmitar te “Gërdeci”
Amerikani i “SAC” pajton avokat për të ndjekur gjyqin
TIRANë - Patrik Henri, pronar i kompanisë amerikane “SAC”, por njëherësh edhe ortak në biznes me të akuzuarin kryesor të Gërdecit, Mihal Delijorgji, duket mjaft i interesuar për ecurinë e procesit gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Tiranës ndaj 29 të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë. Një juriste e pajtuar prej tij ka qenë prezente në sallën e gjyqit ditën e djeshme, e cila ka ndjekur të gjithë zhvillimet e seancës. Sipas burimeve, mësohet se juristja në fjalë është përfaqësuese e një zyre ligjore në Tiranë, e cila është kontaktuar nga bosi amerikan i “SAC” për t’u mbajtur i informuar rreth procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj ish-ortakut të tij, Delijorgjit dhe të pandehurve të tjerë. Mësohet se Patrik Henri, bashkëpronar i kompanisë “Albademil”, që ushtronte veprimtarinë e demontimit të predhave në Gërdec, ka shfaqur interes rreth zhvillimit të procesit gjyqësor, pasi ai është renditur nga prokuroria në listën e dëshmitarëve të akuzës, edhe pse ka qenë ortak i kompanisë që ushtronte aktivitetin e demontimit të predhave në Gërdec gjatë kohës që ndodhi shpërthimi tragjik. Patrik Henri pritet të dëshmojë para gjykatës, pasi organi i akuzës të ezaurojë dëshmitë e ish-punëtorëve dhe banorëve të Gërdecit e zonave përreth. Bashkë me të në cilësinë e dëshmitarëve do të jenë edhe të paktën 6 specialistë amerikanë, të cilët kanë qëndruar në fabrikën e demontimit të predhave, gjatë kohës që kompania “SAC” ushtronte aktivitetin e saj. Amerikanët, të cilët u kontaktuan për të nisur biznesin nga ish-drejtori i ndërmarrjes “Meico”, Ylli Pinari, sollën në Gërdec edhe makineri që shërbenin për demontimin e predhave të kalibrit të vogël, kontratë kjo që përfundoi me sukses. Menjëherë, “Albademil”, kompania në bashkëpronësi të Patrick Henrit dhe Mihal Delijorgjit, nisi zbatimin e një tjetër kontrate, atë për demontimin e predhave të kalibrit të madh, duke prodhuar sasi të konsiderueshme baruti, i cili shpërtheu mesditën e 15 mars, duke vrarë 26 persona dhe plagosur me qindra të tjerë.
Dëshmia
Minxolli pranon: Punësova 18 të mitur
Dritan Minxolli, ish-drejtori ekzekutiv i fabrikës së demontimit të predhave në Gërdec, ka ripranuar dje para gjykatës se ka punësuar të mitur, të cilët kanë shërbyer në proceset e punës që kryheshin brenda ish-repartit të tankeve. Duke folur para gjykatës, Dritan Minxolli, i cili akuzohet nga prokuroria për vrasje masive, tha se ka punësuar të paktën 18 të mitur në punishte, por një gjë të tillë e ka bërë duke u nisur nga nevojat dhe gjendja ekonomike e punëkërkuesve. Kjo deklaratë është përsëritur në mënyrë të vazhdueshme nga Minxolli, i cili ka hedhur poshtë akuzën e prokurorisë, se në Gërdec nuk kishte masa sigurie dhe rregullore për sigurimin në punë. Më herët, ish-drejtori Minxolli ka deklaruar se gjithçka bëhej në Gërdec, bazohej mbi një rregullore të brendshme të hartuar nga specialistët e punësuar në fabrikë. Ai tha se asnjë prej përfaqësuesve të institucioneve shtetërore që kishin si detyrë të kontrollonin veprimtarinë e një sipërmarrjeje të tillë, nuk kanë shkuar qoftë edhe një herë në fabrikën e demontimit të predhave. Dritan Minxolli dhe Sokol Ngjeçi janë dy nga katër të akuzuarit për vrasje masive, të cilët kanë pranuar të paraqiten në sallën e gjyqit gjatë seancave gjyqësore. Edhe pse procesi për tragjedinë e Gërdecit ka nisur prej muajsh, Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari, dy të akuzuarit kryesorë të procesit, kanë refuzuar të paraqiten para gjykatës.