E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata rrëzon kërkesat e Dajtit dhe miqve të tij

Nuk ndahet çështja
 

 
Avokatët e Mariglen Muçës dhe Erges Xhoxhit i kërkuan gjykatës të shpall moskompetencën, pasi akuzat që rëndojnë mbi ta nuk janë kompetencë e Krimeve të Rënda
 
 
Leonard Bakillari
TIRANë - Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar njëra pas tjetrës tri kërkesa që avokatët mbrojtës kanë bërë gjatë seancës së radhës në ngarkim të Dritan Dajtit, i akuzuar si autori kryesor i masakrës së 7 gushtit, dhe dy bashkëpunëtorëve të tij. Dy kërkesat e para u bënë nga avokatët mbrojtës të ish-oficerit të policisë Mariglen Muça dhe kunatit të Dajtit, të cilët kërkuan veçimin e çështjes për klientët e tyre. Sipas kërkesave respektive, mbi dy të pandehurit e këtij procesi rëndojnë akuza që nuk janë kompetencë e Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe për këtë arsye, të pandehurit nuk mund të gjykohen. Po ashtu, avokati i Dritan Dajtit i kërkoi gjykatës që të caktohet një mjek për të bërë një ekspertizë, që do të përcaktonte gjendjen shëndetësore e të pandehurit, i cili edhe në seancën e djeshme, e cila është e dyta për këtë proces, nuk u paraqit para togave të zeza. Të tria këto kërkesa u rrëzuan nga trupi gjykues, i cili argumentoi se çështja nuk mund të ndahet. Po ashtu, gjykata tha se mbrojtja e Dajtit nuk ka bërë asnjë kërkesë me shkrim për gjendjen mjekësore të të akuzuarit kryesor për masakrën e 7 gushtit në plazhin e Durrësit, ndërsa nuk është kompetencë e kësaj gjykate për të urdhëruar një kontroll të tillë.
Kërkesat
Në seancën e dytë të procesit gjyqësor ndaj Dritan Dajtit, avokatët e dy të pandehurve të tjerë që gjykohen së bashku me të akuzuarin për pesë vrasje kërkuan veçimin e çështjeve për klientët e tyre. Avokati i Erges Xhoxhit, kunati i Dajtit, argumentoi para gjykatës, se klienti i tij akuzohet për “falsifikim dokumentesh” të automjetit tip “Volsvagen Tuareg”, që përdorej nga i akuzuari dhe “përkrahje të autorit të krimit”. Sipas tij, të dyja këto akuza nuk janë në kompetencë të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe për këtë arsye, trupi gjykues duhet të shpalli moskompetencën. Të njëjtën kërkesë bëri edhe avokati mbrojtës i ish-oficerit të policisë, Mariglen Muça, i cili tha para gjykatës, se klienti i tij akuzohet për “shpërdorim detyre”, akuzë kjo që nuk parashikohet në kompetencën e Krimeve të Rënda. Për këtë arsye, gjykata duhet të mbajë për gjykim vetëm të pandehurin Dritan Dajti. Kërkesa e tretë u bë nga avokati i Dajtit, i cili i kërkoi gjykatës të verifikohet gjendja shëndetësore e klientit të tij, i cili edhe ditën e djeshme nuk ishte paraqitur. Për të tria kërkesat trupi gjykues vendosi t’i rrëzojë, ndërsa urdhëroi togat e shoqërimit të sjellë në sallën e gjyqit Dritan Dajtin, i cili në seancën e parë nuk pranoi të firmosë as fletëthirrjen e gjykatës.
Akuzat
Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Dritan Dajti, një nga njerëzit më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, akuzohet për vrasjen e katër oficerëve të policisë në atë që njihet si masakra e 7 gushtit në plazhin e Durrësit. Po ashtu, ndaj Dajtit rëndon edhe akuza e vrasjes së mikut të tij, Ledion Mara, ndërsa pjesë e procesit gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda janë edhe dy persona, që sipas prokurorisë kanë ndihmuar të kërkuarin. Së bashku me Dajtin gjykohen edhe kunati i tij, Erges Xhoxhi, i cili akuzohet si përkrahës i të kërkuarit, si dhe për falsifikimin e dokumenteve të automjetit luksoz që përdorej nga i akuzuari për pesë vrasje. Pjesë e procesit gjyqësor si i pandehur është dhe ish-oficeri i policisë, Mariglen Muça, i cili sipas prokurorisë i ka siguruar Dajtit uniformën e policisë dhe modelin e dokumentit të ri që përdorin punonjësit e Policisë së Shtetit, me të cilin i shumëkërkuari ka arritur t’u shmanget disa herë postblloqeve të policisë. 
 
 
 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›