Prangoset “trafikanti” i së miturës, u kap me një pistoletë
ELBASAN – Një 20-vjeçar, i cili akuzohet se është përfshirë në abuzimin seksual me një të mitur, është arrestuar dje nga policia e Elbasanit. Ai ishte shpallur në kërkim prej dy javësh pas mbërritjes së denoncimit nga viktima dhe në momentin e ndalimit, atij i është gjetur edhe një armë zjarri tip “Zastava”, të cilën e mbante pa leje. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se është kapur në flagrancë shtetasi Bredion Kurti, lindur dhe banues në qytetin Elbasan, nga agjentët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj personit. Arrestimi i 20-vjeçarit Kurti është bërë gjatë një kontrolli në lagjen “Kongresi i Elbasanit” nga shërbimet e policisë, pasi atij i është gjetur një armë zjarri pistoletë tip “Zastava”, e cila është sekuestruar me cilësinë e provës materiale, thanë burime zyrtare policore. Ata shtuan se nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan, Bredion Kurti ishte shpallur person në kërkim pasi akuzohet se më 5 gusht të këtij viti ka shoqëruar në një hotel të miturën P.C., me të cilën një person i paidentifikuar ka kryer marrëdhënie seksuale.
21 Gusht 2008