E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpëton Durrësi nga municionet, asgjësohen 1300 ton



DURRËS – Mbi 1300 ton municione ushtarake të ndodhura në 59 kontejnerë, që qëndronin prej një viti në depot ushtarake të Shkozetit, rreth 5 km larg Durrësit janë asgjësuar dhe larguar nga kjo zonë, pas një operacioni dy mujor të Forcave të Armatosura shqiptare. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Maksim Malaj, inspektoi të mërkurën paradite depot ushtarake të Shkozetit ku u njoh me detajet e operacionit 2 mujorë që çoi në sigurimin, asgjësimin dhe largimin e pjesëve të parrezikshme nga 59 kontejnerë me 1309 ton municione. Ministri Oketa tha se "ky operacion dëshmoi se ushtarakët shqiptarë i kanë të gjitha kapacitetet dhe aftësitë profesionale për të asgjësuar municionet e tepërta, që ndodhen në repartet dhe depot ushtarake të vendit". Ai falënderoi prefekturën e qarkut, pushtetin vendor si dhe komunën e Jubës në territorin e së cilës është kryer operacioni për asgjësimin e djegoreve dhe barutit të predhave 120 mm. Ministri Gazmend Oketa shtoi se disa ditë më parë në Mjekës u asgjësuan 2.5 ton barut i zi, ndërsa gjatë muajit shtator do të ketë një seri operacionesh që synojnë asgjësimin e municioneve të tepërta në rajone të ndryshme të vendit, si dhe zvogëlimin e ndjeshëm të shkallës së rrezikshmërisë së tyre. Burime nga komanda e Forcave Mbështetëse, bënë të ditur se operacioni për asgjësimin e 1309 ton predhave me kalibër 120 mm që ndodheshin në 59 kontejnerët e Shkozetit ka nisur më 10 qershor të këtij viti dhe është kryer nën masa të rrepta sigurie. Gjatë tre fazave të këtij operacioni është siguruar fillimisht hapja dhe ajrosja e municioneve dhe më pas transferimi i tyre në rajonin e poligonit të Jubë-Sukthit, ku është kryer edhe asgjësimi i djegoreve të predhave. Materialet e mbetura dhe të parrezikshme janë transferuar në depot ushtarake të Borizanës, pranë Fushë Krujës. Burimet shtuan se operacioni është kryer në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha forcat ushtarake kompetente, organet e SHISH-it, Prefekturën dhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit. Ministria e Mbrojtjes ka nisur zbatimin e një plani veprimi që do ta nxjerrë shumë shpejt Shqipërinë nga lista e vendeve me rrezikshmëri të lartë nga municionet e pa asgjësuara. Shqipëria është ndër vendet më të rrezikuara të Europës për shkak të numrit të madh të depove me municione, të cilat në çdo moment mund të bëhen burim tragjedish siç ndodhi në Gërdec. Mbi 100 mijë ton municione të llojeve të ndryshme ndodhen të shpërndara në të gjithë vendin, dhe kohë më parë Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë kërkoi ndihmën e donatorëve për të realizuar këtë proces.

21 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›