Arrestohet 30-vjeçari, mbyti njërin vëlla dhe plagosi tjetrin për motrën
FER – Autori i krimit të dyfishtë të ndodhur mbrëmjen e së martës në rrethin e Fierit ka mundur të jetojë në liri vetëm 12 orë, pasi është gjetur i fshehur në një fshat në zonën e plazhit të Bishporos. Burimet zyrtare të Policisë së Fierit bëjnë të ditur se dje në mesditë është arrestuar shtetasi Arben Dhamo, i dyshuar për vrasjen e Flogert Toskës dhe plagosjen e vëllait të tij. Sipas burimeve hetimore, 30-vjeçari Dhamo e ka kryer krimin mbrëmjen e dy ditëve më parë, pas përfundimit të një feste familjare. Njëri nga vëllezërit ka shkëmbyer fjalë fyese gjatë darkës me Dhamon, i cili më pas e ka kërcënuar. Kur dy vëllezërit kanë tentuar të hakmerren, ai ka mbytur me litar Flogert Toskën, ndërsa ka plagosur me kaçavidë vëllain e tij 17-vjeçar, Xhulianin. Ai ka mundur të largohet për momentin, por në mesditën e djeshme, ai është gjetur i fshehur në zonën bregdetare të Pishporos.
Krimi
Dasma që po zhvillohej mbrëmjen e së martës në fshatin Pishporo të rrethit të Fierit ka përfunduar në tragjedi. Një konflikt i nisur për motive të dobëta në lokal, ka përfunduar me një të mbytur dhe një të plagosur. Burime në grupin hetimor bëjnë të ditur se shkak është bërë një ngacmim i momentit gjatë darkës ndaj motrës së Arben Dhamos nga dy vëllezërit Flogert dhe Xhuljan Toska. Kaq ka mjaftuar që debati të nisë që brenda në lokal dhe të përfundojë tragjikisht jashtë mjediseve të tij. Fill pas ngacmimeve, 30-vjeçari ka thirrur jashtë dy bashkëfshatarët e tij. Ndërsa vëllezërit kanë tentuar t’i kundërpërgjigjen, ai ka përdorur mjete rrethanore. Burimet bëjnë të ditur se Arben Toska ka përdorur një litar, me të cilin ka mbytur 22-vjeçarin Toska, ndërsa ka qëlluar me një kaçavidë të vëllanë e tij, Xhuljanin. Pasi i ka neutralizuar dy vëllezërit, autori i krimit është zhdukur menjëherë nga vendngjarja.
Arrestimi
Menjëherë pas krimit, policia shkoi në vendngjarje për të arrestuar autorin. Por, Arben Dhamo, duke përfituar nga errësira, ka arritur të largohet. Ai është fshehur në një zonë fare pranë detit. Por , efektivat e policisë kishin marrë masa, duke bllokuar të gjitha akset rrugore. Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative është bërë e mundur gjetja e tij mesditën e djeshme. Në momentin e arrestimit, ai nuk kishte armë zjarri apo mjete të tjera vetëmbrojtëse me vete. Ndërkohë, kanë nisur hetimet në lidhje me konfliktin mes tre të rinjve nga Pishporo, pasi dyshohet se mund të ketë persona të tjerë të përfshirë në krim.
Sipas ekspertizës që u është bërë dy vëllezërve, ka rezultuar që Flogerti të ketë gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërsa i vëllai ka pësuar një goditje në qafë. Ai ndodhet në Spitalin Rajonal të Fierit, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që dje policia mori dëshminë e Xhuljan Toskës në lidhje me ngjarjen. Sipas të dhënave të para, prej disa kohësh vëllezërit Toska kishin fërkime me 30-vjeçarin, pasi njëri prej tyre dyshohet se i ngacmonte të motrën. Tashmë, autori i krimit të dyfishtë akuzohet për veprën penale të “vrasjes”. Materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar prokurorisë së rrethit.
21 Gusht 2008