Apeli liron Taçin me 100 mijë euro garanci
Pranohet kërkesa e avokatëve se biznemeni që goditi gazetarin nuk përbën rrezikshmëri shoqërore dhe se nuk mund të largohet jashtë vendit
TIRANË- Gjykata e Apelit në kryeqytet, e liroi dje nga burgu biznesmenin Rezart Taçi kundrejt garancisë pasurore prej 100 mijë eurove, ndërsa familjarët e tij duartrokitën vendimin. Ndaj tij, Gjykata vendosi masën e sigurisë detyrim me paraqitje, një herë në javë.
Gjyqtarët Metush Saraçi, Edmond Islamaj dhe Alaudin Malaj, pasi dëgjuan pretendimet e prokurorit të çështjes, Dritan Peka, që kërkoi mos ndryshimin masës së sigurisë së dhënë me 5 nëntor '09 në Shkallën e Parë, pasi nuk kanë ndryshuar rrethanat nga momenti i caktimit të masës.
Më pas gjykata dëgjoi pretendimet e avokatëve Maks Haxhia e Artan Hajdari, që kërkuan ndryshimin e saj kundrejt garancisë pasurore prej 100 mijë eurove. Pas këtyre pretendimeve, trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e mbrojtësve të Taçit, duke liruar klientin e tyre pas ditëve në qeli.
Sipas vendimit, ndryshimi i masës së sigurisë nga "arrest me burg" në "detyrim për paraqitje" për Taçin e akuzuar për "goditje për shkak të detyrës" të gazetarit Mero Baze, nuk përbën rrezikshmëri shoqërore apo ndikim në hetimin e çështjes.
Me vendimin e tyre, u pranua kërkesa e avokatëve duke ndryshuar masën e sigurisë pas 14 dite izolim kundrejt garancisë pasurore prej 100 mijë eurove. Me përfundimin e leximit të këtij vendimi nga kryesuesi i trupit gjykues, familjarët dhe punonjësit e ndryshëm që ishin në sallën e gjyqit filluan të duartrokasin, duke bërtitur "rroftë drejtësia", "kjo është drejtësi".
Më i moshuari nga familjarët tentoi të shkonte dhe t'i takonte gjyqtarët që i liruan të afërmin e tyre, por, një gjë e tillë nuk u lejua nga efektivët e policisë të pranishëm në sallën e gjyqit.
Seanca e djeshme gjyqësore, e shqyrtimit të ankimit të vendimit të Shkallës së Parë, fillimisht ishte caktuar me short elektronik të vlerësohej nga gjyqtari Edmond Islamaj, Fatos Qato dhe Zeqine Sollaku kryesuese.
Këta të fundit, kishin caktuar orën 9:00 të mëngjesit për shqyrtimin e kësaj kërkese, por Sollaku dhe Qato, për shkak të konfliktit të interesit, dhanë dorëheqjen nga shqyrtimi i këtij ankimi. Kjo dorëheqje detyroi kancelarin e gjykatës të rihedhë shortin për përcaktimin e dy gjyqtarëve të tjerë, që u zgjodhën Metush Saraçi dhe Alaudin Malaj.
Të tre gjyqtarët e kompletuar caktuan orën 15:00 të ditës së djeshme për shqyrtimin e kërkesës, të cilën pasi e shqyrtuan dhe dëgjuan pretendimet e palëve vendosen që pas 14 ditësh qëndrim në qeli të lirojnë kundrejt garancisë pasurore prej 100 mijë euro biznesmenin Rezart Taçi. Ai pas orës 16:00 të ditës së djeshme la qelinë e paraburgimit "Mine Peza" në kryeqytet.
Pas përfundimit të seancës gjyqësore, avokati Maks Haxhia, u shpreh se "Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë ishte ekstrem dhe jo i drejtë. Ishte me dy standarde".
Ndërkohë, ngjarja për të cilën Rezart Taçi bëri tashmë 14 ditë burg, ka ndodhur mbrëmjen e datës 2 nëntor në një lokal në zonën e ish-bllokut, ngjarje për të cilën Taçi akuzohet se bashkë me nipin e tij Irgen Selfo dhe shoferin e kompanisë, Bledar Selfon, qëlluan me grushte dhe sende të forta gazetarin Mero Baze.
Ai kishte vetëm 15 minuta që ishte ulur në të njëjtin lokal ku ishte edhe presidenti i kompanisë "Taçi Oil".