E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci plasi nga mina me sahat, e vuri vëllai i Nehat Kullës”

19/11/2009  Deklarata “bombë” nga avokati i Ylli Pinarit. Del në skenë “gjenerali”

TIRANË- Për herë të parë në seancën gjyqësore kundër të pandehurve që akuzohen për tragjedinë e Gërdecit del në skenë emri i një prej personazheve të njohur të botës së krimit Nehat Kulla. Avokati Klodian Gjermeni, i cili përfaqëson në këtë proces të pandehurin Ylli Pinari, u shpreh dje se Gërdeci nuk ishte shpërthim i rastësishëm, por një minë me sahat. Pasi ka përdorur këtë frazë, avokati tha se kjo minë dyshohet se është vendosur nga një prej familjarëve të Nehat Kullës e pikërisht nga vëllai i tij. Pasi e tha këtë fjali, avokati i kërkoi gjykatës të thirrej me cilësinë e dëshmitarit vëllai i Nehat Kullës. Më tej avokatët u shprehen se Prokuroria nuk e ka bërë mirë punën e saj, pasi nuk ka studiuar dhe analizuar disa materiale të policisë, e cila e njoftonte kohë më parë këtë tragjedi. Kjo frazë ishte e panjohur edhe për vet prokurorët, të cilët në kërkesën për gjykim thanë se shpërthimi erdhi si pasojë e një shkëndije të lëshuar nga një prej karrocave të saposalduara. Më tej avokati i Pinarit tha dje se Gërdeci është sabotim. Por para se avokati i Pinarit të shprehej për këtë deklaratë, ishte gjykata ajo që vendosi të mos pranoi kërkesën e bërë nga të pandehurit Dritan Minxolli, Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji për gjykim të shkurtuar. Seanca vazhdoi vetëm me kërkesë të palës mbrojtëse dhe në fund me një shtyrje për t’i dhënë kohë gjykatës të shprehet me vendim. Po dje në seanca nga i pandehuri Ndue Marku u kërkua që të paraqiten me cilësinë e dëshmitarit, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për të cilin Gjykata e Lartë e pushoi çështjen, ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, dhe pasardhësi i tij në këtë post Enkelejd Alibeaj. Dritan Minxolli shkoi më tej me kërkesat e tij. Ai i tha gjykatës se kërkon të paraqiten me cilësinë e dëshmitarit para saj, ekspertët amerikanë, të cilët kanë nxjerrë edhe konkluzionet përfundimtare për tragjedinë e Gërdecit. I vetmi që nuk foli në seancën e djeshme dhe nuk paraqiti kërkesa ishte avokati i Mihal Delijorgjit. Ky i fundit i tha gjykatës se do të shprehet seancën e ardhshme për ato që kërkon të merren në shqyrtim me qëllim që të zbardh të vërtetën. Dje kanë folur pjesa më e madhe e avokatëve në seancë. Ndërkohë që avokati i Luan Hoxhës, kundërshtoi me argumente të gjitha akuzat e ngritura. Luan Hoxha me gradë Gjeneral Lejtnant ka qenë me detyrë shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Në këtë funksion ai ka drejtuar Shtabin e Përgjithshëm, e cila është struktura me e lartë organizative ushtarake e Forcave të Armatosura dhe kryen komandën unike të saj. Avokati tha se në kërkesën për gjykim nuk janë të pasqyruara konkretisht se ku qëndron përgjegjësia e Hoxhës, ku qëndron, sipas akuzës, bashkëfajësia dhe me kë. Dua të sqaroj se klienti im nuk është akuzuar për vepër të kryer në bashkëpunim, por në bashkëfajësi.

Familjarët e Gërdecit në Gjykatën e Lartë

“Hiqni imunitetin e Fatmir Mediut”

Dy prej familjarëve të viktimave të tragjedisë së 15 marsit në Gërdec i drejtohen gjykatës me një tjetër padi kundër ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Alketa Azizaj dhe R. Durdaj, një fëmijë i mitur, kërkojnë nga gjykata që të investohet me qëllim heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut. Djali i mitur përfaqësohej në padinë e tij nga babai. Fillimisht ata e depozituan kërkesën në gjykatën e Tiranës, por për shkak se kjo gjykatë nuk është kompetente për shqyrtimin e saj, u detyruan të drejtohen në Gjykatën e Lartë. Kërkesa është regjistruar në sekretari dhe pritet të merret në shqyrtim. Familjarët theksuan se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e njëpasnjëshme për të risjellë edhe një herë në gjykatë Fatmir Mediun, duke e konsideruar atë si përgjegjës kryesor për tragjedinë e Gërdecit. Fatmir Mediu aktualisht është ministër i Mjedisit.

MEICO përgjegjëse

Zotërinj gjyqtarë! Detyra kushtetuese e forcave të armatosura ishte përcaktimi i sasisë së tepërt të municionit që nuk shërben për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjes së vendit, heqja e tyre nga përdorimi dhe dërgimi pranë ndërmarrjes civile MEICO, e cila është e ngarkuar me administrimin e mëtejshëm të tyre.

Vendimi për MEICON

Hoxha tha se vendimi për t’i dhënë ndërmarrjes “MEICO” këtë kategori municioni është marrë direkt nga komisioni dhe miratuar nga ministri pa kaluar nga kontrolli apo marrja e mendimit e Shtabit të Përgjithshëm. Theksoj se gjithsesi, municioni i lartpërmendur është hequr nga përdorimi i Forcave të Armatosura dhe nuk duhesh më për qëllimin e destinuar.

Gërdeci i paralajmëruar

Policia kishte lajmëruar se do të ndodhte një tragjedi. Avokatët e Pinarit thanë dje se Prokuroria nuk ka verifikuar një material që i ka servirur policia, sipas të cilit, tragjedia e Gërdecit ishte një sabotim. Për të verifikuar këtë fakt, avokatët të sigurt kërkuan që të vinte në sallë në cilësinë e dëshmitarit vëllai i Nehat Kullës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›