E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli liron dy nga të dënuarit e dosjes "Kashari"

 

TIRANE - Apeli i Gjykatës së Tiranës, liron me kusht 2 prej të akuzuarve të dosjes "Kashari", ndërsa uli shkallën e dënimit për të tjerët. Togat e zeza të kësaj gjykate dhanë dy ditë më parë vendimin përfundimtar për 7 të pandehurit e parë të akuzuar për abuzimin me 34 sipërfaqe të ndryshme tokash në komunën e Kasharit, që në total shkonte në një sipërfaqe prej 18 hektarësh. Vendimi i Apelit vendosi lirimin me kusht për 3 vjet për të pandehurin Bardhyl Kamberi, ndërsa liri me kusht për 2 vjet për të pandehurin Islam Shera. Ndërkaq, gjykata vendosi dënimin me nga 2 vjet e 8 muaj heqje lirie për Alfred Sulën dhe Faik Fejzajn, 2 vjet e 6 muaj për Shefqet Alikajn, 3 vjet për Ismail Sulën si edhe 4 vjet e 6 muaj burg për Xhevahir Hykën. Ndërkohë për tre prej të pandehurve gjykata vendosi edhe gjoba që në total kapnin shifrën e rreth 2 milionë lekëve. Në Gjykatën e Shkallës së Parë të pandehurit e kësaj dosjeje u dënuan me një total prej 43 vjetësh burg dhe 35 milionë lekë gjobë, ndërsa përfituan edhe uljen e 1/30-ës së dënimit për shkak të gjykimit me kohë të shkurtuar. Sipas organit të akuzës, të pandehurit, ish-kryekomunarë, ish-kryepleq dhe të afërm të tyre në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumente, duke shpërdoruar detyrën. Po sipas prokurorisë, ata kanë kryer korrupsion pasiv dhe mashtruar, duke shkaktuar pasoja të rënda, veprime këto të kryera në vitin 2000. Tre prej të pandehurve të dosjes "Kashari" po gjykohen të veçuar në Gjykatën e Tiranës.                                                                   ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›