E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, dhunohet brenda zyrës së tij gazetari 21-vjeçar

 

FIER - Dhunohet brenda ambienteve të radios ku punonte 21-vjeçari Keidi Velçani. Pronari zyrtar i "Radio X" në Fier dhe djali i analistit Petref Velçani, është goditur me mjete të forta paraditen e djeshme, brenda zyrës së tij. Personat që policia i ka identifikuar tashmë, kanë pritur momentin që ai ka mbaruar emisionin dhe e kanë sulmuar, duke i shkaktuar fraktura në kokë, këmbë dhe duar. Velçani është gjetur në gjendje të rëndë, duke u transportuar me urgjencë për në spitalin e Fierit. I ati i tij pohon se ngjarja ka lidhje me detyrën dhe se motivet janë politike. "Kohët e fundit jam shfaqur në të gjitha mediat vizive lokale dhe rajonale dhe detyrimisht kam mbajtur një qëndrim timin. Edhe pse ishte një qëndrim asnjanës, sërish dikujt i janë cenuar interesat. Por ajo që unë doja të theksoja është që gjithçka që ka lidhje me mua më përket mua dhe jo djalit tim. Më njoftuan në telefon për gjithçka ndodhi. Unë sapo u largova nga radioja, pasi mbarova emisionin e mëngjesit dhe djalin e lash të flinte në një mjedis brenda radios", tregon Velçani. Sipas tij, incidenti ka filluar qysh dje pas një fërkimi banal. "Por në të tilla fushata kështu ngjajnë, gjoja motivet janë banale. Nuk mund të përjashtojnë faktin se kjo gjë ka ardhur për shkak të prononcimeve të mia në media. Për shkak të prekjeve të dikujt, çojnë njerëz banalë, që mund të jenë të justifikuar për veprime ordinere për të justifikuar veprimet e mia dhe të vetë radios si dhe të gjitha mediave". Nga ana e saj, policia pohoi se ngjarja ka ndodhur për motive banale. Pasditen e djeshme, burimet zyrtare të saj thanë se, autorët e dhunës janë: Radi Allaraj, 22 vjeç dhe 25-vjeçari Isuf Çela. Ata janë shpallur në kërkim, ndërsa po punohet për të gjetur dhe bashkëpunëtorët e tyre.                                m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›