Kontributet për pension, sa do të mbahen nga paga
Qeveria ka vendosur dje të rrisë pagën minimale dhe maksimale për efekt pensioni. Vendimi vjen pas uljes me 5 për qind të pagesës së sigurimeve shoqërore e shëndetësore, dhe rritjes së pensioneve dhe pagës minimale në shkallë vendi.
Gazeta boton të plotë vendimin, i cili prek të gjithë bizneset dhe të punësuarit në administratë. Vendimi, që mori OK dje, do t’i shtrijë efektet që nga data 1 maj e këtij viti. Qeveria ka vendosur që paga minimale për efekt pensioni, pra paga nga e cila do të mbahen sigurimet, të jetë 16.120 lekë në muaj, ndërsa paga maksimale mujore të jetë 80.600 lekë në muaj. Deri më 1 maj këto paga ishin 14.830 lekë në muaj dhe maksimalja 74.150 lekë në muaj. Por ndryshe nga periudha para datës 1 maj, kontributet që do të mbahen nga paga do të jenë më të ulëta nga 32.9 për qind në 27.9 për qind. Ulja me 5 për qind e kontributeve që mbahen nga paga prek direkt të gjithë punëdhënësit, pra biznesmenët, të cilët krijojnë vende pune. I gjithë biznesi pas këtij vendimi do të paguajë 16.7 për qind të pagës për të siguruar të punësuarin, nga 21.7 që paguante më parë. Ndërsa pjesa që i mbahet të punësuarit nga paga ngelet e njëjtë 11.2 për qind. Nga kjo reformë e re, qeveria ka dashur të nxisë krijimin e vendeve të reja të punës duke lehtësuar biznesin, por ka ulur indirekt pagat. Kështu të gjitha pagat mbi 80.600 lekë në muaj do të paguajnë më shumë për të siguruar pension dhe shërbimet shëndetësore. Deri më 1 maj, të gjithë pagat e larta mbi 74.150 lekë në muaj, pavarësisht pagesës, paguan sigurime, pra 5 për qind, mbi këtë limit. Me rritjen e limitit maksimal në 80.600 lekë në muaj, rrjedhimisht do të rriten edhe pagesat për pension. Në këtë mënyrë do të zvogëlohet edhe paga e marrë në dorë. Nisur nga referencat e nxjerra nga tatimet për pagat edhe në biznesin e madh, një pjesë e mirë e të punësuarve në privat do ta ndjejnë peshën e këtij vendimi në pagesat e tyre. Por nga ana tjetër qeveria ka ulur pagesën minimale mujore. Pagesa minimale për pension do të jetë nga 4497 lekë/muaj, nga 4879 lekë/muaj që ishte deri më 1 maj. Një ulje kanë pësuar edhe detyrimet për të vetëpunësuarit, ose ata që punësojnë të tretë në punë. Kështu detyrimi i tyre për sigurime ishte 33.2 për qind e pagës, ose 4924 lekë/muaj dhe pas 1 majit bëhet 30% e pagës ose 4836 lekë/muaj. Por rritje kanë pësuar pagesat e detyrueshme për sigurime të tregtarëve të vegjël dhe ambulantëve, nga 1 mijë lekë në muaj në 1200 lekë në muaj. Në vendim është shtuar edhe përfitimi i asistencës, ose personave që nuk përmbushin kushtet për pension. Rritja është nga 5200 lekë në muaj në 6344 lekë në muaj.
Minatorët
Në mbledhjen e djeshme Berisha ngarkoi ministritë përkatëse për të përgatitur vendimin për amendimin e ligjit për pensionet. Ky vendim do të ulë moshën e pensioneve për minatorët me 5 vjet, si dhe do të ketë fuqi prapavepruese, në mënyrë që të mbulojë të gjithë minatorët dhe ish-minatorët shqiptarë. Gjithashtu në bazë të këtij vendimi, pensionet e minatorëve do të ngrihen në nivelin më të lartë të mundshëm për këtë kategori.
ndryshimet
Paga minimale
Ishte
14830 lekë/muaj
Bëhet
16120 lekë/muaj
Paga maksimale
Ishte
74150 lekë/muaj
Bëhet
80600 lekë/muaj
Pagesa minimale
për sigurime
Ishte
4879 lekë/muaj
Bëhet
4497 lekë/muaj
Kontributi
i detyrueshëm
Ishte
32.9% e pagës
Bëhet
27.9% e pagës
Pagesa e
punëdhënësit
Ishte
21.7% e pagës
Bëhet
16.7% e pagës
Pagesa për të
vetëpunësuarit
Ishte
33.2% e pagës
(4924 lekë/muaj)
Bëhet
30% e pagës
(4836 lekë/muaj)
Pagesa për të
vetëpunësuarit
dhe ambulantët
Ishte
1000 lekë/muaj
Bëhet
1200 lekë/muaj
Përfitimi për
ata që nuk
plotësojnë kushtet
Ishte
5200 lekë/muaj
Bëhet
6344 lekë/muaj
Vendimi i plotë
Në vendimin nr. 1114, datë 30.07.2008 të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen këto ndryshime:
1. Paragrafi i parë, i pikës 1, të kreut II, “Paga bruto dhe paga minimale”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, nga data 01.05.2009 e në vazhdim, të jetë jo më pak se 16. 120 (gjashtëmbëdhjetë mijë e njëqind e njëzet) lekë, ndërsa paga maksimale mujore të jetë 80.600 (tetëdhjetë mijë e gjashtëqind) lekë”.
2. Pikat 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 9, 10, 11, 13 e 14, të kreut III, “Llojet, shuma dhe shpërndarja e kontributeve” ndryshohen si më poshtë vijon:
“1. Shuma minimale mujore e kontributeve, për të gjitha degët e sigurimit, për periudhën nga data 01.05.2009 e në vazhdim të jetë 4.497 (katër mijë e katërqind e nëntëdhjetë e shtatë) lekë. Kontributi minimal mujor, sipas degëve të sigurimit, të jetë:
% në lekë
Dega e sigurimit të sëmundjeve
0.3 48;
Dega e sigurimit të barrëlindjeve
1.4 226;
Dega e sigurimit të pensioneve
21.6 3 482;
Dega e sigurimit të aksidenteve
dhe sëmundjeve profesionale
0.3 48;
Dega e sigurimit të papunësisë
0.9 145;
Sigurimet shëndetësore
3.4 548.
2. Shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuarit dhe për pjesëtarët e familjes, të patrajtuar me pagë, të jetë 7% e pagës minimale mujore, e barabartë me 1.128 (një mijë e njëqind e njëzet e tetë) lekë.
3. Kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore e shëndetësore, për të punësuarin, duke filluar nga data 01.05.2009 e në vazhdim të jetë 27.9% e pagës bruto mujore, sipas listë-pagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 16.7% dhe pjesa e të punësuarit 11.2%. Kontributet llogariten nga punëdhënësi mbi pagën bruto, të përcaktuar në këtë vendim. Ai mban nga paga e punëtorit 9.5% për sigurim shoqëror dhe 1.7% për sigurim shëndetësor, dhe së bashku me pjesën e tij 15% të pagës, për sigurim shoqëror dhe 1.7% të pagës për sigurim shëndetësor, e deklaron dhe e paguan në llogarinë bankare, të përcaktuar për kontributet.
4. Kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore e shëndetësore, për të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, duke filluar nga data 01.05.2009 e në vazhdim, të jetë 26.7% të pagës bruto, sipas listë-pagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 15.6% dhe pjesa e të punësuarit 11.1%, por jo më pak se niveli minimal i pagës bruto, të përcaktuar për llogaritjen e kontributit.
5. Kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore e shëndetësore, për të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më pak se 1 javë, duke filluar nga data 01.05.2009 e në vazhdim të jetë 3.7% të pagës bruto, sipas listë-pagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 2% dhe pjesa e të punësuarit 1.7%, por jo më pak se niveli minimal i pagës mujore, të përcaktuar për llogaritjen e kontributit.
6. I vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari që punëson të tretë (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi), duke filluar nga data 01.05.2009 e në vazhdim, paguan për vete një kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, në masën 30% (23% sigurim shoqëror dhe 7% sigurim shëndetësor) të pagës mujore minimale, prej 16.120 (gjashtëmbëdhjetë mijë e njëqind e njëzet) lekësh, të barabartë me 4.836 (katër mijë e tetëqind e tridhjetë e gjashtë) lekë në muaj. Këta persona llogarisin kontributet për vete dhe për pjesëtarët e familjes që nuk trajtohen me pagë, dhe i paguajnë në llogarinë bankare, të përcaktuar për kontributet.
7. I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së vet, mbi 16 vjeç, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi), duke filluar nga data 01.05.2009 e në vazhdim, paguan kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, në masën 30 për qind (23 për qind sigurim shoqëror dhe 7 për qind sigurim shëndetësor) të pagës mujore minimale prej 16.120 (gjashtëmbëdhjetë mijë e njëqind e njëzet) lekësh, e barabartë me 4.836 (katër mijë e tetëqind e tridhjetë e gjashtë) lekë në muaj.
9. Personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulante, sipas përcaktimeve në këtë vendim, nga data 01.05.2009 e në vazhdim, të deklarojnë dhe të paguajnë kontribut minimal mujor në shumën 1.200 (një mijë e dyqind) lekë.
10. Personat mbi 16 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pronësia, që nuk janë të punësuar diku tjetër, duke filluar nga 01.05.2009 e në vazhdim të paguajnë kontribut vetëm për sigurimin shëndetësor, në masën 7 për qind të pagës mujore minimale, prej 16.120 (gjashtëmbëdhjetë mijë e njëqind e njëzet) lekësh.
11. Të vetëpunësuarit në bujqësi, nga data 01.05.2009 e në vazhdim, të derdhin kontribut vjetor për sigurimet shoqërore në masën 14.400 (katërmbëdhjetë mijë e katërqind) lekë, me përjashtim të të vetëpunësuarve, që banojnë në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, për të cilët masa e kontributit vjetor është 9.360 (nëntë mijë e treqind e gjashtëdhjetë) lekë.
13. Kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore, për personat, që punojnë si punëtorë shtëpie, sipas përcaktimit në shkronjën “g”, të pikës 1, të këtij vendimi, të jetë 1 200 (një mijë e dyqind) lekë në muaj.
14. Kontributi i detyrueshëm për aksidente dhe sëmundje profesionale, për kohën e formimit profesional, të personave të punësuar në subjekte, që punojnë me material të porositësit, të jetë 0.3 për qind e pagës bruto minimale dhe paguhet totalisht nga punëdhënësi”.
3. Kapitulli VIII, “Shuma bazë e përfitimeve”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Kapitulli VIII
Shuma bazë e përfitimeve
1. Në mbështetje të neneve 2, 32, 36 e 48 të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, shuma bazë e përfitimit nga data 01.05.2009 e në vazhdim të jetë 10.276 (dhjetë mijë e dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekë në muaj.
2. Në mbështetje të nenit 96, të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, shuma e përfitimit, për personat që nuk plotësojnë kushtet për përfitimin e masës së pensionit, të përcaktuar në paragrafin e parë të këtij neni, nga data 01.05.2009 e në vazhdim është 6.344 (gjashtë mijë e treqind e dyzet e katër) lekë në muaj.
3. Në mbështetje të pikës 4, të nenit 27, të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, shuma bazë e përfitimit për gratë, të cilat e kanë periudhën e fundit të sigurimit si të vetëpunësuara në bujqësi, nga data 01.05.2009 e në vazhdim është 6.344 (gjashtë mijë e treqind e dyzet e katër) lekë në muaj”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 01.05.2009.