Gjyqtarë "borxh" për Aldo Baren
Armand Bajrami
Gjykata e Krimeve të Rënda merr gjyqtarë "borxh" nga Gjykata e Tiranës, për të gjykuar Aldo Baren, i akuzuar si kreu i bandës së Lushnjës. Ndërsa mbahet i arrestuar në Turqi kreu i organizatës kriminale do të gjykohet nga një pesëshe gjyqtarësh të gjykatës së kryeqytetit. Kjo ka ardhur si pasojë e pamundësisë për krijimin e një trupe gjyqësore me gjyqtarë të Krimeve të Rënda. Shkak është përfshirja dhe konsumimi i tyre në gjykimin e pjesës tjetër të bandës dhe të Enver Dondollakut në këtë gjykatë. Ndërsa 5 anëtarët janë caktuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ditën e sotme pritet të hidhet një short për caktimin e kryesuesit të trupës. Aldo Bare, aktualisht i arrestuar në Turqi, gjykohet në mungesë nga drejtësia shqiptare si i dyshuar për vepra të rënda penale të kryera në periudhën 1998-2000 në qytetin e Lushnjës.
GJYQTARET
Ditën e djeshme, një shkresë zyrtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë me 5 emrat që do të gjykonin Aldo Baren ka mbërritur në Gjykatën e Tiranës. Sipas KLD-së, trupa gjyqësore do të përbëhej nga gjyqtarët Fatmira Hajdari, Artan Broci, Kreshnik Omari, Altin Abdiu dhe Sokol Tona. Burime pranë gjykatës së kryeqytetit sqaruan se ditën e sotme, me anë të shortit elektronik do të përzgjidhet kryesuesi i trupës gjykuese.
Pas përfundimit të praktikave procedurale trupa do të vijojë seancat gjyqësore në ngarkim të së akuzuarit si "dirigjenti" i "bandës së Lushnjës" në Gjykatën për Krimet e Rënda.
PROCESI
Deri para pak ditësh Aldo Bare gjykohej në Gjykatën e Krimeve të Rënda në të njëjtin proces penal me Enver Dondollakun, të cilësuar si krahu i tij i djathtë në drejtimin e organizatës. Në të njëjtën kohë dosja e tyre, gjykohej e veçuar nga pjesa tjetër e bandës. Në 29 maj të këtij viti Gjykata për Krimet e Rënda pranoi kërkesën e Dondollakut, i cili aktualisht po vuan një dënim me 18 vjet burg në Itali, për gjykim të shkurtuar. Për pasojë, pas "divorcit" në gjykim nga Aldo Bare, Dondollaku u gjykua nga e njëjta trupë gjykuese që dha vendimin, ndërsa për Baren lindi nevoja e një trupe tjetër. Por, konsumimi i të gjithë gjyqtarëve të Krimeve të Rënda, në gjykimin në themel, në dhënien e masave të sigurisë, apo dhe në shqyrtimin e kërkesave të dala gjatë procesit të anëtarëve të tjerë të banesa bën të pamundur krijimin e një pesësheje të re.
Aldo Bare akuzohet nga prokuroria e Krimeve të Rënda për vepra të rënda penale përfshi "vrasjen me paramendim" dhe "krijimin e organizatës kriminale". Sipas kërkesës, vrasja e vëllait të Bares nga Artur Daja, do të pasohej më pas me krijimin e bandës dhe ndërmarrjen e një veprimtarie të gjerë kriminale të mbushur me vrasje, fillimisht për hakmarrje e më pas për rivalitet.