E Hënë, 2 Nëntor 2026

Apeli liron dy tutorët dibranë

25/12/2004  TIRANË – Në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda morën dënime të rënda, Luan Dani, i cili u dënua në mungesë me 18 vite burg, ndërsa Zabit Daci dhe Edmond Veliu, me nga 15 vite burg. Por dje gjithçka është përmbysur. Apeli i Krimeve të Rënda ka ndryshuar kualifikimin e veprës penale për të tre të pandehurit. Ndërsa njëri prej tyre, Luan Dani, që u hetua dhe gjykua në mungesë, përsëri ka patur rrethana rënduese. Dënimi i tij nga 18 vite zbriti në 12 vite burg. Kjo masë dënimi u dha, pasi për të ndryshoi akuza nga trafikim të femrave në rrethana rënduese, në shfrytëzim prostitucioni. Dy shokët e tij që ishin në bankën e të akuzuarve, u deklaruan të pafajshëm për akuzën e trafikut të femrave për prostitucion, duke u dënuar vetëm për veprën penale të moskallëzimit të krimit. Dje, të pandehurit lanë qelitë e burgut, pasi dënimi për ta ishte ai i kohës së paraburgimit. Në Shkallën e Parë të pandehurit u deklaruan fajtorë nga gjyqtarja Liljana Baku. Ndërsa akuza e përfaqësuar nga prokurori Olsian Çela ishte tepër e ashpër. Luan Dani, sipas akuzës, ka shfrytëzuar për dy vite rresht një vajzë, e provuar se është pa asnjë klasë shkollë. Është pikërisht Luan Dani, i cili e mori vajzën me emrin Mimoza Rezi, me qëllimin për t'u martuar dhe më pas e shfrytëzoi nëpër rrugët e Napolit. Në Apel, dy të pandehurit e tjerë u gjendën fajtorë vetëm për moskallëzim krimi. Ndërkohë që në Shkallën e Parë ata u gjykuan, pasi në bashkëpunim me njëri–tjetrin kanë arritur të dërgojnë në Itali vajzën e quajtur Mimoza Rezi, me banim në Kamëz dhe pa asnjë klasë shkollë. Historinë e saj, vajza e shfrytëzuar e ka treguar vetë para gjykatës. Tashmë është 21 vjeçe, por kur mori rrugën, hipi në skaf për të qëndruar në rrugët e Napolit, ishte 18 vjeçe. Ka deklaruar se fitonte nga 300-400 euro në ditë dhe të gjitha fitimet i ndante me tutorin, Luan Dani. Gjykata tha se, Mimoza Rezi ka bërë kallëzim në polici dhe më pas në prokurori për Luan Danin. Pas dhënies së dëshmisë në seancën e sigurimit të provës, ajo ka ndryshuar gjithçka. Pikërisht ndryshimi i deklarimeve bëri që prokurori i çështjes të kërkojë arrestimin e saj. Kështu, Mimoza Rezi është dënuar me katër muaj burg për akuzën e dëshmisë së rreme. Pas dhënies së vendimit, vajza ka pranuar se ka gënjyer në sigurimin e provës, për të mbrojtur tutorin e saj Luan Dani. Dënimi me katër muaj është pezulluar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›