E Hënë, 2 Nëntor 2026

Presidenti fal 47 të dënuar, përjashtohet Alimuça

24/12/2004  TIRANË – Dekretohet falja e dytë për të dënuarit me vendim të formës së prerë nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu. Dje në mesditë, Presidenti Alfred Moisiu vendosi të gëzojë 47 të dënuar, nga 110 që ishte lista e propozuar nga ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafa.

Lirimet

Për 22 të dënuar falja ishte e plotë, pra të gjithë këta persona dje lanë dhomat e ftohta ku qëndronin, duke vuajtur dënimin dhe u nisën për në shtëpitë e tyre. Ndërsa 25 të tjerë u gëzuan për falje të pjesshme. Ata që përfituan nga dekreti i Moisiut, ishin dënuar për vepra penale të lehta. Nuk bënin pjesë në listën e të falurve persona të dënuar për vrasje, prostitucion apo persona, të cilët kanë patur dënim të përsëritur. Gjithashtu në listë nuk është as emri i Vehbi Alimuçës, një prej bosëve të piramidave si dhe ai i Moisi Çunit, i cili e ka dënim të përsëritur.

Lejet

Për festat e fundvitit, vetë drejtoritë e institucioneve të vuajtjes së dënimeve, që nuk janë të sigurisë së lartë, kanë të drejtë të japin leje për të dënuar, të cilët kanë patur qëndrim shembullor. Ndërkohë që nga lista e faljeve që dolën nga Presidenca, nuk ka përfituar asnjë e dënuar femër. Kjo për faktin se të gjitha femrat janë dënuar për veprat penale të vrasjes. Po kështu, dënimet e tyre janë tepër të rënda dhe nuk mund të përfshihen te uljet apo faljet që bëhen në prag festash.

Përzgjedhja

Për të bërë një përzgjedhje sa më të drejtë të të dënuarve, Presidenca që në datë 25 nëntor i kërkoi informacion të plotë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Ky informacion u nis drejt Presidencës para datës 6 dhjetor. Kështu që nga kjo datë deri dje, nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Presidencës, janë bërë disa herë verifikime, deri sa në fund u arrit të faleshin me dekret 47 të dënuar. Pjesa më e madhe e të dënuarve që u falën ishin duke vuajtur dënimin në Burgun 325 në Tiranë. Në të dy rastet që ministri ka bërë propozime për falje, ka dërguar listën me 110 emra. Nga burime të brendshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, mësojmë se përzgjedhja e të dënuarve është bërë në bazë të të gjitha rregullave. Nuk është marrë parasysh asnjë emër i servirur.

Alimuçaj

Alimuçaj nuk përfshihet në dekretin e Moisiut. Në listën e dytë të faljeve të Presidentit të Republikës, nuk përfshihet Vehbi Alimuçaj. Ish-bosi i "VEFA"-s nuk është përfshirë as në listën e të liruarve, as në listën e të burgosurve, që u është ulur dënimi pjesërisht. Ndonëse ish-presidenti i gjigandit ekonomik bënte pjesë në listën që i ishte paraqitur Moisiut për falje. Alimuçaj renditej i 89-i në radhë, për të pritur firmën presidenciale për falje. Asgjë nuk ka ndodhur. Ish-nënkryetari i "Atlantikut Verior", kryetar i së cilës ka qenë Presidenti aktual, do i duhet të vuaj të gjithë dënimin e mbetur, duke shpresuar në faljet e ardhshme presidenciale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›