E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarri, digjen 3 banesa në Tiranë

25/12/2004  Një shkëndijë elektrike djeg 3 banesa në Kombinat. Zjarri i rënë në shtëpinë e Ilir Lokjes përhapet dhe te fqinjët, duke lënë nën qiellin e hapur 3 familjet e varfëra, të strehuara tek ish-zyrat e kombinatit tekstil. Zjarri qëndroi i ndezur nga ora 12.00 deri në 15.00, pasi zjarrfikësit nuk mundën ta neutralizonin dot më parë.

Ngjarja

Atyre pak familjeve që banonin në ish-zyrat e kombinatit tekstil, nuk ua kishte marrë asnjëherë mendja se një neglizhencë në lajmërimin e zjarrfikësve do t'i linte pa shtëpi. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se komshinjtë i kishin vërejtur flakët në shtëpinë e Ilir Lokjes, që rreth orës 12.00 të së djeshmes. Në fillim, ata kishin pandehur se të zotët e saj ishin brenda dhe mund ta neutralizonin vatrën e zjarrit. Por afro një orë më pas, kur e gjithë ndërtesa mbante erë kauçuk e rroba të djegura, fqinjët e kuptuan se ishin po aq të rrezikuar sa Lokjet. Por, tanimë ishte vonë. Megjithë sinjalizimin e zjarrfikësve, shkëndija elektrike shënoi dëme të mëdha materiale. Për fatin e keq të banorëve, dy shtëpitë ngjitur me atë të shkrumbuarën, pësuan të njëjtin fat. Çatia prej druri mori flakë në pak sekonda dhe uji me vërshim i hedhur nga pompat e zjarrfikësve, nuk mund ta ndalte. Vetëm në orën 15.00 u shuan flakët e fundit nga zjarri i Kombinatit. E megjithatë, faktin se nuk mori asnjë jetë njeriu, la 3 familje në qiell të hapur, pikërisht natën e Krishtlindjeve. Ekspertët që mbërritën në vendin e ngjarjes, konstatuan se çrregullimi i rrjetit solli pasojat fatale për të strehuarit te zyrat e kombinatit tekstil. Dosja iu kalua Prokurorisë për të vijuar më tej hetimet mbi ngjarjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›