E Hënë, 2 Nëntor 2026

Diga, 6 muaj burg për Lulen, pafajësi për pesë të pandehur

25/12/2004  TIRANË – Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë dha pafajësi dje për pesë të pandehur, akuzuar si shkaktarë të hapjes së digës së Liqenit, ndërsa Ilir Lulen e dënoi me 6 muaj burg. Fisnik Vathi, inxhinier projektues, Sotiraq Selenica, inxhinier zbatues, Ilia Zoto, përgjegjës kolaudimi, Sulejman Xhelepi dhe Ligor Tuslluk supervizor, janë pesë të pandehurit, të cilët morën pafajësi dje nga gjyqtari Arben Kostandini. Ilir Lulja e pranoi akuzën një seancë më parë dhe për të gjykata dha vendimin me 6 muaj burg. Prokurori Petrit Fusha kundërshtoi dje vendimin e gjykatës. Ai u shpreh se është një vendim i padrejtë, të cilin do ta apelojë. Për të gjithë të pandehurit, prokurori kërkoi dënimin me nga 3 vite. Ilir Lulja, roja e digës së Liqenit Artificial të Tiranës, pas dy vjetësh pranon fajësinë. Që në fillim të hetimeve, në shtator të vitit 2002, personat e shoqëruar në polici u shprehën se fajtor kryesor për hapjen e portave të digës së Liqenit ishte Ilir Lulja, roja. Por ky i fundit, fillimisht, ka mohuar autorësinë. Si pasojë e hapjes së portës së madhe të digës, u përmbyt një pjesë e zonës së Tiranës së Re. Dëmet e shkaktuara nga përmbytja qenë të rënda. Ato kapnin shifrën e mbi 1 miliard lekëve. Banesat e kateve të para si dhe dyqanet u mbushën me ujë. Si përfundim, fajin e morën kolektorët. Bashkia u shpreh se një nga shkaqet e vërshimit të ujit nëpër rrugët e qytetit, ishte edhe bllokimi i kolektorëve. Por gjatë hetimeve u vu re se arsyeja e shpërthimit të ujit, nuk ishte fare banale. Pas hapjes së portës nga roja Ilir Lulja, mosfunksionimi i rregullt i saj bëri të mos mbyllej në kohë. Porta u bllokua dhe kështu uji vërshoi nëpër rrugët e qytetit. Vendimi për të pandehurit do të jepet në datën 24 dhjetor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›