E Hënë, 2 Nëntor 2026

Banda e Lushnjës, 13 seanca të shtyra pa arsye

25/12/2004  TIRANË – Prokurorët ankohen për zvarritje të proceseve gjyqësore. Anton Martini dhe Përparim Kulluri nuk kanë qenë dakord dje me shtyrjen e procesit gjyqësor ndaj grupit të Lushnjës. Edhe dje, shkak për shtyrjen janë bërë avokatët mbrojtës. Prokurorët thanë se janë zhvilluar 13 seanca për këtë çështje, dhe ende nuk është paraqitur asnjë provë në gjykatë. Për Prokurorinë, gjykata duhet të jetë më e saktë. Ajo duhet të planifikojë gjyqet në orare të përshtatshme dhe nuk duhet t'i shtyj pambarimisht. Në seancën e djeshme, për të pandehurit e bandës së Lushnjës mungonin avokatët Ardian Leka dhe Ali Meta. Gjykata për të qenë në rregull me procedurat, për shkak të mungesës së pamotivuar të avokatëve, vendosi të pezullojë afatet e paraburgimit për tetë të pandehurit, deri në datën 7 janar 2005. Nga ana e tyre, gjyqtarët e Krimeve të Rënda shprehen se, janë shumë të ngarkuar dhe kjo bën që jo të gjitha proceset të bëhen në orarin e duhur. Ndërsa avokatët shprehen se nuk kanë vetëm një proces gjyqësor dhe nuk janë të detyruar të qëndrojnë pas dyerve të gjykatës sa herë që ajo shtyn oraret. Sipas avokatëve, gjyqet e orës 10.00 zhvillohen në orën 12.00. Ky është edhe shkaku i mungesës së tyre. Të njëjtën vërejtje bëjnë edhe prokurorët, të cilët për një proces duhet të qëndrojnë gjithë ditën në shkallët e gjykatës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›