E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli mbyll konfliktin: Ndoka kryetar i PDK-së

 

TIRANË- Nard Ndoka do të vazhdojë të drejtojë Partinë Demokristiane. Gjykata e Apelit ka mbyllur sot çdo debat të deritanishëm mbi pretendimet e vazhdueshme të Anton Gurakuqit për të qenë ai kryetari i partisë. Gjykata shpalli dje me vendim të formës së prerë, Nard Ndokën, si kryetarin legjitim të PDK-së. Pas debatit të gjatë që lindi brenda PDK-së në lidhje me postin drejtues të kësaj partie, midis Nard Ndokës dhe Anton Gurakuqit, ku ky i fundit u përkrah edhe nga figura partiake të PD-së, gjykata e Apelit ka rrezuar çdo pretendim të Gurakuqit për të drejtuar partinë.

Përmes këtij vendimi, Gjykata e Apelit ka rrëzuar njëkohësisht edhe alibinë e përdorur nga kryeministri Berisha për të larguar demokristianët nga qeveria, pasi në këtë mënyrë legjitimiteti i fituar nga Nard Ndoka, sipas kësaj partie, “i jep fund spekulimeve me emrin e PDK-së të individëve që nuk përfaqësojnë këtë parti, por që mbahen në poste të larta shtetërore, vetëm që të dëmtojnë imazhin dhe profilin politik të PDK-së”. Duke hedhur poshtë pretendimet e palës paditëse, gjykata njohu legjitimitetin e Kongresit të jashtëzakonshëm të PDK-së  të datës 03.06.2006, që zgjodhi kryetar, Nard Ndoken. Ndërkaq trupi gjykues vlerësoi se i gjithë dokumentacioni i Kongresit, i regjistruar në gjykatë është në përputhje me ligjin për partitë politike.

Vendimi i formës së prerë u votua në unanimitet nga të tre gjyqtarët e çështjes pasi pala paditëse, sipas tyre, nuk paraqiti asnjë argument ligjor, për të mbështetur pretendimet e saj. Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, pritet që në kampin e djathtë të ketë lëvizje interesante. Kjo sepse kryeministri Sali Berisha do të duhet të japë një përgjigje konkrete lidhur me marrëdhëniet që partia e tij do të ketë me PDK-në, pa llogaritur që edhe vetë demokristianët do të fillojnë lëvizjet e tyre qoftë edhe në mënyrë të pavarur, pa u penguar tashme nga legjitimiteti i përfaqësimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›