Apeli, në burg bashkëpunëtorët e kontrabandës së cigareve
14/05/2005 TIRANË – Mbeten në burg me vendim të Gjykatës së Apelit të pandehurit Ngushëllim Hyzotaj dhe Admir Sulaj, akuzuar për bashkëpunim në kontrabandën e cigareve. Vendimi u dha dje në mesditë, ndërsa ishte bërë apelimi nga avokatët mbrojtës. Nga ana e saj, Prokuroria nuk ishte dakord për të lënë të lirë të pandehurit, të cilët i konsideroi bashkëpunëtorët me të afërt me Fatmir Zotajn, pronarin e anijes "ENI". Ngushëllim Hyzotaj ka qenë me detyrë inspektor i sektorit të antikontrabandës doganore në portin e Durrësit, ndërsa Admir Sulaj oficer i kapitenerisë së portit. Çështjen e ka në dorë prokurori Eugen Beci. Të pandehurit, sipas akuzës, kanë patur dijeni dhe kanë ndihmuar pronarin e anijes në kalimin e mallrave në port pa paguar akcizë. Duke bërë këto kalime, mendohet se bashkëpunëtorët e Zotaj të kenë marrë ëryshfet. Dosja penale me emrat e personave që dyshohet se kanë kryer kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë, mbërriti fillimisht në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ndërsa masa e arrestit për të gjithë të pandehurit u dha nga Gjykata e Durrësit. Disa prej personave të quajtur fillimisht bashkëpunëtorë, janë lënë të lirë nga Shkalla e Parë, me pretendimin se nuk kanë patur pika kyçe dhe nuk mund të kenë patur dijeni për veprimtarinë e paligjshme që kryente Fatmir Zotaj, i cili i kishte punësuar. Ndërsa në pranga kanë rënë marinarët dhe punonjës të tjerë të portit, nuk është arrestuar ende pronari i anijes "Eni", Fatmir Zotaj, i shpallur në kërkim. Pasi është dhënë masa e arrestit nga Gjykata e Durrësit, dosja penale ka kaluar për hetim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me kërkesë të prokurorit të prokurorisë së rrethit Durrës. Kontrabanda e cigareve kaloi te Krimet e Rënda, pasi u vërtetua se ai ishte një trafik i vazhdueshëm dhe numri i personave të përfshirë në këtë skandal ishte tepër i madh. Hetimet kanë nxjerrë emra personash të dyshuar për një trafik të lidhur midis dy vendeve, Italisë dhe Shqipërisë. Gjithsesi hetimet e mëtejshme do të vërtetojnë përfshirjen ose jo të personave me pushtet në këtë trafik të cigareve. Sasia e mallit të kapur arrin shifra të mëdha. Në magazinën e pronarit të anijes, Fatmir Zotaj, u sekuestruan 7 kontenierë me 7188 koli me 3.594.000 paketa gjithsej.