E Hënë, 2 Nëntor 2026

Burg pa afat për gruan dhe dashnorin vrasës

14/05/2005  Masa e sigurisë për Elena Rrukaj dhe Gazmend Ujkën

SHKODËR – “Burg pa afat” është dhënë dje nga gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit të Shkodrës për dy shtetasit e akuzuar për vrasjen e Nikolin Rrukaj. Elena Rrukaj, ish-bashkëshortja e viktimës dhe Gazmend Ujka bashkëjetuesi aktual i saj, do të rrijnë pas hekurave të qelive të paraburgimit deri në përfundim të hetimeve në lidhje me këtë çështje për dy të arrestuarit e datës 10 maj.

Prokurori

Seanca gjyqësore për masën e sigurisë është drejtuar nga gjykatësja Valbona Durraj.

Fillimisht të drejtën e fjalës ia ka dhënë akuzës, të përfaqësuar nga prokurori i çështjes, Lazër Çardaku, i cili u shpreh se prokuroria, pasi ka kryer hetimet dhe ka mbledhur provat materiale, ka arritur në përfundimin se vrasja është bërë me paramendim nga të dy të akuzuarit dhe nisur nga ky rezultat i hetimeve paraprake, kërkoi marrjen e masës së sigurisë “burg pa afat” për të dy të pandehurit.

Në cilësinë e provës materiale, Çardaku numëroi një pushkë 10–she, një orë dore dhe një byzylyk, të deklaruara nga i ati i viktimës se janë të të birit, Nikolinit.

Ndër provat e tjera të regjistruara e të deklaruara nga organi i akuzës, rezulton dhe një levë, eshtrat e viktimës, me anë të të cilave u bë edhe identifikimi i saktë, deklarimet e dy të akuzuarve në komisariatin e policisë si dhe proçesverbalin e bërë në lidhje me vendngjarjen.

Sipas prokurorit Lazër Çardaku është shenuar se në shtëpinë e Nikolin Rrukaj kishte tre shenja plumbash, dy në mur dhe një në dysheme, shenja këto që ishin mbushur me material plastik, për të mbuluar gjurmët.

Mbrojtja

Pas provave dhe akuzës së prokurorit, gjykatësja Durraj ia ka dhënë fjalën palës së akuzuar, e cila përfaqësohej nga avokat Gjon Lepuri, mbrojtës ky që ishte caktuar kryesisht nga gjykata, pasi të akuzuarit nuk e kishin marrë një të tillë.

Avokati Lepuri i kërkoi trupit gjykues që në këtë seancë paraprake të flisnin vetë të akuzuarit, pasi kjo ishte kërkesa e vetë atyre.

Pas pranimit të kësaj kërkese nga gjykatësja Durraj, e para e ka marrë fjalën e pandehura Elena Rrukaj, e cila e ka marrë përsipër e vetme krimin e vrasjes, duke përjashtuar bashkëpunimin me të dashurin e saj, Gazmend Ujkën. Duke u mbrojtur me faktin e kryerjes së krimit në kushtet e vetëmbrojtjes, ajo ka treguar edhe variantin e saj të kryerjes së krimit.

Në fund të seancës gjykatësja Valbona Durraj ka pranuar kërkesën e prokurorit Çardaku dhe ka vendosur ndaj të dy të akuzuarve masën e sigurisë ”burg pa afat”, për veprat penale të vrasjes dhe të armëmbajtjes pa leje.

Në seancat e ardhshme pritet që ata të gjykohen vetëm për veprën penale të vrasjes, pasi dënimin për armëmbajtje pa leje e kanë konsumuar në vitin 2000 me një muaj e 10 ditë heqje lirie.

Pas përfundimit të seancës, të dy të pandehurit janë transferuar në një burg të sigurisë së lartë në Tiranë.

Dyshime të tjera

“Nikolini u vra në gjumë”

Burimet nga prokuroria shprehen se asnjëherë nuk është mbyllur dosja e Nikolin Rrukajt, por vetëm është pezulluar për mosgjetje të provave të mjaftueshme dhe të trupit të viktimës. Ndërsa burime jozyrtare shprehen se për këtë ngjarje është hartuar dokumentimi i plotë, ku përfshihen edhe fakte të tjera, që nuk janë paraqitur në seancën e djeshme, fakte këto që do të paraqiten në seancat e ardhshme. Sipas këtyre burimeve, mendohet se Nikolini është vrarë në gjumë, në divan, të cilin e kanë djegur më pas.

Rrëfimi i ngjarjes nga Elena

“Burrin e varrosa me kushëririn e tij”

Në sallën e gjyqit, Elena Rrukaj ka rindërtuar të gjithë ngjarjen sipas variantit të saj, duke e përjashtuar bashkëjetuesin e saj aktual nga bashkëpunimi, por duke implikuar në fshehjen e viktimës një kushëri të afërt të burrit të saj. Sias asaj çka gruaja e Nikolinit ka deponuar dje, ka qenë pikërisht djali i hallës i burrit, i cili e ka ndihmuar të hapë gropën e të fusë në dhe të shoqin.

“Nuk e mbaj mend datën e saktë, por më kujtohet se ishte një natë e ftohtë janari”.

Kështu e ka filluar rrëfimin e saj gruaja e viktimës dje në sallën e gjyqit.

“Atë natë, rreth orës 00.00, Nikolini, si edhe në raste të tjera, erdhi i dehur dhe filloi të më rrihte. Më pas mori pushkën, që kishim në shtëpi, dhe tentoi të më vriste. Në atë moment, mbaj mend se kam reaguar dhe për t’u mbrojtur kam tentuar t’ia marr armën, por fillimisht një plumb i dalë nga gryka e pushkës më ka plagosur në dorë dhe më pas, në përleshje e sipër, shkrehja e armës i ka marrë jetën Nikolinit. Nuk dija çfarë të bëja dhe për tre ditë rresht e kam mbajtur trupin e tij në shtëpi. E ndodhur para një situate të tillë, i vetmi njeri që mund të më besonte ishte djali i hallës i Nikolinit, Vitor Volaj, pasi ai e dinte se si më trajtonte burri im dhe e dinte se nuk kishim shkuar asnjëherë mirë bashkë. Pasi e kam lajmëruar atë, ai erdhi menjëherë dhe mori vesh çdo gjë që kishte ndodhur. Bashkë me të kemi filluar të hapim gropën pranë mureve të shtëpisë dhe e kemi varrosur Nikolinin. Në momentin e hapjes së gropës ka pasur njerëz që duke kaluar na pyesnin se përse po e hapnim atë, por jemi fshehur me justifikimin e momentit, se do të mbillnim diçka. Pas disa kohësh, kushëriri i Nikolinit është nisur për në Itali dhe sot e kësaj dite ndodhet atje. Ai ishte i vetmi person që e dinte ngjarjen dhe vendin e varrosjes. Pas kësaj ngjarjeje, nga frika se mos ndoshta askush nuk do ta besonte të vërtetën e ngjarjes dhe unë do të përfundoja në burg, hapa fjalë se burri ishte nisur në Itali dhe në mars ishte shprehur se ai e kishte marrë në telefon dhe i kishte thënë se do ta merrte me vete me gjithë djalë. Ndërsa Gazmendi nuk ka pasur dijeni për këtë ngjarje, pasi në atë kohë nuk kisha lidhje me të. Njohja me Gazmendin ka filluar gjatë vuajtjes së dënimit për armëmbajtje pa leje”, ka përfunduar gruaja burrëvrasëse.

Rrëfimi i ngjarjes sipas Gazmendit “Nuk dija asgjë për vrasjen” Pas Elenës është mbrojtur Gazmendi, i cili ka deklaruar se “asnjëherë nuk kam pasur dijeni se Nikolini është i vdekur dhe nuk kam pasur dijeni aspak për ngjarjen e ndodhur”. Ditën që policia ka shkuar në shtëpinë e tij, në Shkodër, ku tashmë bashkëjeton me Elenën, me të cilën ka një djalë 3-vjeçar dhe po rrit edhe djalin 8-vjeçar të Nikolinit, ai ndodhej në Lumë, dhe e shoqja e ka marrë në telefon dhe i kishte thënë se kishte ardhur policia dhe e kërkonte për të bërë disa sqarime. Menjëherë është nisur dhe pas 4 orëve rrugë është paraqitur vetë në polici, ku dhe ka marrë vesh për ngjarjen e ndodhur. Lidhur me viktimën, ai është shprehur se “kisha njohje si bashkëfshatar dhe ka pasur edhe hyrje e dalje me të, por lidhja me Elenën ka nisur pas zhdukjes së Nikolinit”. Pas lidhjes, meqenëse lidhja ishte bërë serioze, e ka pyetur Elenën se çfarë do të bënte nëse do të vinte i shoqi nga Italia, por ajo i ishte përgjigjur se nuk donte t’ia dinte më për të dhe as nuk donte t’ia përmendte më. Më pas, nuk e kanë përmendur më dhe pas kalimit të të gjtha afateve ligjore dhe shpalljes së Nikolinit “i humbur”, nga Elena është bërë kërkesa për divorc. Ndërsa në lidhje me armën e gjetur në shtëpinë e tij, për të cilën ka vuajtur edhe dënimin, ai është shprehur se “nuk kisha pasur dijeni dhe atë mund ta ketë sjellë Elena”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›