E Hënë, 2 Nëntor 2026

Xhani, mos më gjykoni me punonjësit e ministrisë

14/05/2005  Nis procesi gjyqsor për bosin e klubit sportiv "Partizani"

TIRANË – Bashkë me Albert Xhanin, bosin e klubit sportiv "Partizani", që është akuzuar për tjetërsim pasurie, në bankën e të akuzuarve do të ulen dhe dy punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes, Arben Dervishi dhe Fatbardh Cangu. Ndërsa, Xhani akuzohet për tjetërsim pasurie, dy të tjerët kanë mbi shpinë akuzat e shpërdorimit të detyrës.

Avokati

Pikërisht duke patur parasysh akuzën e ndryshme, i pandehuri Xhani nëpërmjet avokatit të tij, Fatmir Braka, do të kërkojë veçimin e çështjes. Dje ishte seanca e parë gjyqësore, e cila nuk u zhvillua për shkak të mosdhënies së prokurës së rregullt nga ana e punonjësve të ministrisë për avokatët. Nga ana e presidentit të klubit sportiv "Partizani", pretendohet se nuk është kryer asnjë vepër penale, ndërkohë që ka patur të drejtën për të shfrytëzuar ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes. "Unë këto ambiente nuk i shfrytëzova për vete, por në dobi të klubit". Kështu është shprehur në një nga seancat e para për dhënien e masës së arrestit, Albert Xhani.

Prokuroria

Prokuroria e ka sjellë në gjykatë të pandehurin, duke pretenduar se ka shfrytëzuar për katër vjet rresht 28 mijë metra katrorë ambiente të Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas prokurorit Kol Hysenaj, i pandehuri ka lidhur një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes, në bazë të së cilës do të shfrytëzonte ambientet e saj për Sport Klub Partizanin. Akuza është shprehur se, Xhani, përveçse ka patur precedentë në drejtësi për tjetërsim pasurie, e ka vazhduar aktivitetin e tij të paligjshëm në emër të të qenit president i një klubi futbolli. Albert Xhani nuk ka paguar asnjë lek për ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, gjë kjo që ka detyruar organin e Prokurorisë të ngrejë akuzën e shpërdorimit të detyrës. Për herë të parë, prokurori Kol Hysenaj tha se, Xhani është marrë nën akuzë, pasi gjatë kohës që ishte nën hetim për akuzën e tjetërsimit, ka shitur pronën e tij 840 metra katrorë, duke zhdukur provat si dhe ka bërë transferta parash. Akuza, sipas prokurorit Hysenaj, ka të bëjë me punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët kanë kryer veprime me objekte të blera nga Xhani. Bëhet fjalë për Klubin Sportiv Partizani, objektet e të cilës kanë qenë pronë e Ministrisë së Mbrojtjes. Po kështu, nga ana e akuzës u tha se shuma e tjetërsuar nga Xhani është 10.317.200 dollarë amerikanë, ndërsa shuma e përfituar është 5 milionë e 100 mijë dollarë amerikanë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›