E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia Bashkiake bllokon dhjetëra mjete

14/05/2005  TIRANË- Vetëm 50 mijë lekë të vjetra do të shpëtojnë tregtarët e Medresesë, mjetet e të cilëve tashmë janë bllokuar nga Policia Bashkiake mesditën e djeshme. Sipas vetë dëshmive të tregtarëve, mësohet se dhjetëra makina të tyre janë bllokuar dje në mesditë nga Policia Bashkiake, e cila u ka vendosur bllokazhin. Në komisariatet e policisë janë shoqëruar 4 persona, të cilët kanë shfaqur shenja dhune. Tashmë pronarët e makinave duhet të paguajnë nga 50 mijë lekë të vjetra secili për të rimarrë makinat. Ata thonë se ky është një parking privat dhe aty ata kanë vite që parkojnë mjetet e tyre. Policia bashkiake ka bllokuar makinat pa i njoftuar më parë drejtuesit e automjeteve se aty nuk lejohet të parkohet. Vendi në të cilin parkojnë tregtarët ka një tabelë ku shkruhet "parking privat" dhe nuk ka asnjë shenjë e vijëzim tjetër që të tregojë se aty nuk parkohet. Vendimi i Bashkisë ka indinjuar së tepërmi qytetarët, të cilët kanë refuzuaur të paguajnë gjobat e rënda. Burimet policore thanë se si pasojë e pakënaqësisë e problemeve mes policëve e tregtarëve, disa prej pronarëve të automjeteve janë shoqëruar në komisariat. Policët kanë vazhduar të bllokojnë makina edhe në zonën e Qendrës Spitalore "Nënë Tereza". Në mungesë të parkimit, makinat prej vitesh lihen në mjediset e brendshme të kompleksit spitalor. Pa asnjë njoftim më paëe, edhe në këto raste drejtuesit e mjeteve janë gjendur përballë bllokimeve masive. Prej disa ditësh policia bashkiake ka nisur një aksion për ndëshkimin e drejtuesve që parkojnë në vende të palejuara, një punë që deri para disa ditësh e ka kryer Policia Rrugore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›