E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli, qeveria, stop lejeve në Tiranë pa plan rregullues



Reagon qeveria pas kërkesës për mbledhjen e KRRT-së

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka njoftuar për mbledhje të KRRT-së së Tiranës, për të dhënë sërish leje ndërtimi. Ministria e Punëve Publike reagoi dje duke thënë se kjo është e papranueshme. Qeveria ka kërkuar që të mos jepen leje ndërtimi pa planin rregullues të qytetit. Drejtori i Drejtorisë së Politikave të Planifikimit Urban, Marin Biçoku, tha dje se plani është gati, por Rama ende nuk po e dorëzon për ta miratuar

Dhënia e lejeve të ndërtimit do të vazhdojë përsëri pa një plan rregullues të Tiranës. Kryetari i bashkisë, Edi Rama, ka njoftuar mbledhjen e Këshillit Rregullues të Tiranës për të miratuar leje ndërtimi të tjera. Reagimi ka ardhur menjëherë nga ana e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ku është kërkuar “stop” dhënies së lejeve të ndërtimit pa një plan urbanistik. Në një deklaratë për mediat, drejtori i Drejtorisë së Politikave të Planifikimit Urban, Marin Biçoku, tha se Rama ka thirrur një mbledhje të KRRT-së, duke e cilësuar si të papranueshme. “Kryetari i bashkisë ka lajmëruar një mbledhje tjetër KRRT-je për të miratuar lejet dhe projektet e studios të Alban Eftimit. Kjo është e papranueshme”, - deklaroi ai. Sipas drejtorit, është kërkuar plani rregullues. “Kemi kërkuar miratimin e planit e nuk do të pranojmë leje ndërtimi pa një plan rregullues të miratuar”, - shtoi Biçoku. Ai tha më tej se donatorët kanë financuar planin, madje kanë pranuar shtyrjen e tij, por Rama po tejkalon çdo limit të mundshëm. “Qeveria dhe donatorët i kanë dhënë bashkisë 1.5 milion dollarë për hartimin e planit, dhe kanë pranuar 4 herë zgjatjen e afatit të përfundimit të kontratës me të vetmin qëllim, që Tirana të bëhet me plan. Ka katër muaj që plani është mbaruar dhe nuk paraqitet për miratim sipas ligjit”, - deklaroi Marin Biçoku. Në deklaratën për shtyp, ai tha se ky është vullneti politik i Ramës, për të abuzuar me lejet e ndërtimit dhe mbledhjen e parave të pista për fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme. “Ky është vullneti politik i kryetarit të bashkisë, për të vazhduar abuzimin me lejet dhe për të konsoliduar praktikën korruptive në funksion të mbledhjes së parave për fushatën elektorale”, - shtoi Biçoku. Mazhoranca ka përsëritur shpesh që Rama të dorëzojë planin urbanistik. Madje për vonesën e madhe të shkaktuar, deputeti i PD-së, Edi Paloka, kërkoi një komision hetimor parlamentar për të hetuar këtë vonesë. Sipas Palokës, Rama ka abuzuar hapur me lejet e ndërtimit sa gjithë qytetarët e Tiranës e dinë një gjë të tillë. Ai kërkoi dhënien fund të këtij abuzimi të madh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›