E Diel, 1 Nëntor 2026

Withers, në rrugëtimin pa mbarim, sot, Shqipëria rigjen veten



Ambasadori amerikan citon Naim Frashërin për rrugëtimin e shqiptarëve

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi në mbrëmjen e së enjtes një pritje në Pallatin e Brigadave, për nder të anëtarësimit të vendit në NATO. Mes personaliteteve të shumta, mori pjesë edhe ambasadori amerikan, John Withers. Në fjalën e tij, Withers citoi poetin e Rilindjes, Naim Frashëri, nga ku theksoi se Shqipëria, sot, rigjen vetveten pas shekujve rrugëtim të vështirë në histori.

Anëtarësimi në NATO i shqiptarëve mori mjaft epitete si “triumfi i lirisë”, “ëndrra për liri u realizua” etj., por ambasadori i vendit që ka ndihmuar më shumë Shqipërinë, preferoi që këtë ditë ta përkufizojë me një poemë dhe poezi nga poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri. I ftuar në pritjen zyrtare të ditës së enjte në mbrëmje nga Kryeministri Sali Berisha na Pallatin e Brigadave, ambasadori i SHBA-ve, John Withers, tha se rrugëtimi i vështirë i shqiptarëve ndër shekuj, gjeti liri me anëtarësimin në NATO. “Për shumë e shumë vite, aspiratat e Shqipërisë për NATO-n shiheshin në të “ardhmen”. Tani, e “ardhmja” është sot. Dikur ne flisnim për realizimin “një ditë” të ëndrrës së Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. Zonja dhe zotërinj, ajo ditë është sot”, - tha ai. Por ambasadori amerikan, në citimin që i bëri Naim Frashërit, vendosi në fokus triumfin e lirisë së një populli që kurrë nuk rreshti së kërkuari lirinë. “Në agimin e historisë, ky vend filloi rrugëtimin e tij pa mbarim dhe shekuj të pamatë janë mbushur me përpjekjet dhe madhështinë e sukseseve dhe dështimeve të tij. Në ditë të mira dhe të këqija, nuk e humbi kurrë nga sytë atë drejtim dhe as harroi idealet që i dhanë fuqi. Sot, përfundon një periudhë mbrapshtish dhe vendi rigjen veten. Arritja që kremtojmë sot është veçse një hap, një mundësi për triumfe dhe arritje më të mëdha që na presin”, citoi poetin tonë kombëtar, ambasadori i SHBA-se. Withers tha se fjalën e Naimit janë si një profeci për kombin shqiptar. “Nëse nga këta miliona do të kishte një njeri i cili do të doja ta ishte sot këtu, ky do të ishte Naim Frashëri, poeti i madh i Rilindjes së Shqipërisë. Më shumë se 100 vjet më parë ai shkroi disa vargje të mirënjohura që duken si profeci për këtë ditë”, - tha ai.

Në pritjen zyrtare foli edhe Kryeministri Sali Berisha. Ai nuk ngurroi të falënderonte aleatin kryesor të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri shqiptar e cilësoi NATO-n si një trashëgimi për shqiptarët. “Nuk ka shpërblim më të madh për ata që sakrifikuan dhe ranë për liri sesa anëtarësimi në NATO. Nuk ka trashëgimi më të madhe që ne mund t’u lëmë fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë sesa anëtarësimi në NATO. Ndaj edhe unë shfrytëzoj këtë rast t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë ju, vendeve tuaja dhe taksapaguesve të vendeve tuaja”, - deklaroi Berisha. Kreu i qeverisë tha se përpara ndodhet një sfidë, realizimi i zgjedhjeve të lira, por që ai garantoi se ato do të jetë të ndershme. “Vendi im është përpara një testi shumë të rëndësishëm dhe këto janë zgjedhjet e përgjithshme. Për çdo vend zgjedhjet janë shumë të rëndësishme, por për vendet që kanë pasur probleme me zgjedhjet, ato janë edhe shumë herë më të rëndësishme. Unë ju garantoj se me një frymë konstruktive bashkëpunimi me të gjitha forcat politike, do të bëjmë çdo gjë që ky proces të jetë një proces i denjë për një vend anëtar të NATO-s”, - deklaroi Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›