Apeli rikthen duelin Nano–Lesi në Shkallën e Parë

09/02/2005 TIRANË – Gjakata e Apelit ktheu dje në Shkallën e Parë për rigjykim çështjen Nano-Lesi. Shkelja e ligjit dhe gabimet proceduriale në dosje, detyruan Gjykatën e Apelit të rikthejnë edhe një herë për rigjykim këtë çështje. Vendimi i djeshëm tregoi se, gjyqtari i Shkallës së Parë, Gerd Hoxha, nuk ka zbatuar ligjin me përpikmëri, duke shkelur procedurat. Këtë vendim, deputeti Nikollë Lesi dhe botuesi i gazetës "Koha Jonë", e quajti ndryshim të drejtësisë. Pas shpalljes së vendimit, Lesi pohoi se, Gjykata e Apelit më në fund reagoi se është e pavarur nga politika. Por pala tjetër, që në këtë rast është përfaqësuesi ligjor i Fatos Nanos, Fatmir Braka, vendimin nuk e quajti veçse një largim nga duart e gjyqtarëve të Apelit. Braka pohoi i vendosur se do të bëjë rekurs kundër vendimit në Gjykatën e Lartë. Në datën 21 maj 2004, gazeta "Koha Jonë" dhe botuesi i saj, Nikollë Lesi, detyrohen nga gjykata të paguajnë dëmin jo pasuror prej 2 milionë lekësh, shkaktuar Kryeministrit Fatos Nano, Agim Isaku dhe Ylli Manjani. Vendimi u mor nga gjyqtari Gerdi Hoxha. Gjykata në vendimin e saj e quajti të drejtë padinë e ngritur nga Kryeministri, por në dhënien e dënimit ajo ishte më e butë. Ndërsa Nano dhe dy paditësit e tjerë kërkuan si shpërblim 4 milionë lekë, gjykata e uli në 2 milionë. Nano, nëpërmjet avokatit, pretendoi se botuesi i gazetës "Koha Jona", në editorialin me titull "Shqiptarë, vini kujën" të datës 4 shkurt 2004, ka përdorur fraza fyese. Sipas Brakës, pala e paditur gjatë gjykimit, jo vetëm që nuk e mohoi përdorimin e frazave fyese, por tha se këto fraza dhe etiketime i ka përdorur në gjuhën gazetareske. Sipas avokatit Braka, përdorimi i këtyre frazave ka cënuar rëndë nderin, personalitetin e personave të veçantë.