E Diel, 1 Nëntor 2026

Vret nënën, dënohet 5 vjet me kusht

09/02/2005  Krim nga pakujdesia, klasifikohet vepra e kryer nga Elvis Gurra

TIRANË – Tashmë ka mbetur fillikat. Dëshmia e tij e penalitetit figuron me procedim penal. Quhet Elvis Guri. Erdhi në gjykatë me një akuzë të rëndë, atë të vrasjes së nënës së tij. Por që në seancën e parë gjyqësore është pranuar gjykimi i shkurtuar dhe vrasja është klasifikuar nga pakujdesia. Me pranimin e fajësisë, Prokuroria e ka patur më të lehtë kërkesën për masën e dënimit. Po kështu, edhe gjykata dhënien e vendimit.

Vendimi

Gjyqtari Fehmi Petku e dënoi dje Elvis Gurin me 5 vite heqje lirie. Por ky dënim u dha me kusht. Në bazë të ligjit, dënim me kusht do të thotë që për pesë vjet i pandehuri nuk duhet të kryej asnjë vepër penale. Në rast se do të kryej vepër të re penale, ai do të dënohet për këtë vepër, por do të jetë i detyruar të vuaj edhe dënimin prej pesë vjetësh. Elvis Guri ka pranuar vrasjen e nënës dhe kjo ka qenë një anë lehtësuese për të. Seanca gjyqësore për të pandehurin Elvis Guri filloi dhe mbaroi nën drejtimin e gjyqtarit Fehmi Petku. Që në hapje të procesit, i pandehuri i ndihmuar nga avokati Sajmir Visha, kërkoi gjykim të shkurtuar, duke pretenduar se ngjarja kishte ndodhur pa dashje.

Kërkesa

Kërkesa e bërë nga i pandehuri u pranua nga gjykata dhe brenda një seance u lexua kërkesa për gjykim dhe iu dha e drejta prokurorit të pregatisë konkluzionet përfundimtare. Duke mos patur asnjë dëshmitar për ngjarjen, çështja u pa të zgjidhej me gjendjen që janë aktet. Jetonte i ndarë brenda një ndërtese. Askush nuk e pa momentin që arma, e cila qëndronte në duart e të pandehurit, u shkrep mbi trupin e nënës së tij. Trupi gjykues ka vendosur që të lirohet i akuzuari. Për pesë vjet ai duhet të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale, që të shmangë kthimin përsëri në qeli. Elvis Guri ka qenë edhe më parë i dënuar për krimin e vrasjes. Pikërisht vrasja e kryer prej tij e kish futur familjen Guri në hasmëri. Që prej lirimit nga burgu, i pandehuri ka jetuar i ndarë nga pjesa tjetër e familjes, që ishte vetëm nëna.

Dëshmia e të akuzuarit "Ne jetonim të ndarë. Unë banoja në katin e dytë të ndërtesës dhe nëna në katin e parë. Isha duke pirë kafe. Nëna më thirri për të mbushur armën që e mbante në shtëpi për t'u ruajtur nga gjakësi". Kështu e ka nisur rrëfimin e tij, Elvis Guri. "E lashë kafen në gjysmë. Zbrita poshtë dhe në momentin që fillova të merrem me armën, mbaroi gjithçka. Nëna ishte përballë meje, duke më shikuar. Unë nuk e dija që arma kishte patur një plumb në gojë dhe padashur e shkrepa. E pashë që qëllova nënën, por nuk e kuptova për momentin", ka vazhduar rrëfimin i pandehuri Elvis Guri. Më tej, ai ka shpjeguar se nga frika është larguar menjëherë për të kërkuar ndihmë, por e ka parë veten në duart e forcave të rendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›