Policët e grupit të gatshëm njohën Kurmemën pas vrasjes
09/02/2005 TIRANË – "Shokët e grupit, në momentin kur autori i vrasjes la makinën dhe po vraponte, e njohën që ishte Astrit Kurmema. Ne po vraponim, kur ata thanë lëre të ikë se e njohim, ai është Astrit Kurmema". Ky qe deklarimi që bëri gjatë seancës së djeshme para të pandehurit njëri nga policët e grupit të gatshëm të komisariatit të Shkodrës, emrin e të cilit nuk po e përmendim për arsye sigurie. Dëshmitari u shpreh se kishin marrë sinjalizim për një vrasje dhe menjëherë shkuan në vendin e ngjarjes. Pasi kanë shkuar atje, autori i vrasjes që ka qenë me një makinë tip BMV me targa të huaja, e ka braktisur atë dhe armën e krimit dhe është larguar me vrap. Por gjatë largimit, sipas dëshmitarëve polic---, autorit të krimit i ra kapelja që mbante në kokë. Pikërisht ky ka qenë edhe momenti kur Astrit Kurmema është njohur nga një pjesë e policëve në aksion. Dje gjatë seancës doli një provë tjetër, që është kapelja. Kurmema në seancën për komunikimin e masës së arrestit, ka pranuar autorësinë, duke deklaruar se me familjen Muça janë barazuar. Të pandehurit i vritet vëllai dhe nga ana e Gjykatës së Shkodrës dënohet autori. Por, Kurmema nuk e pranon vendimin e gjykatës dhe vendos të marrë hak në bazë të kanunit. Kështu, në 14 prill 2003, ai niset me makinën e tij për të marrë gjakun e vëllait. Ai godet djalin e xhaxhait të vrasësit. Gjurmët e gishtit, të lëna në makinën e krimit, pistoleta e hedhur nga frika, gëzhojat në vendin e ngjarjes dhe kapelja, janë provat të cilat e kanë bërë të lehtë identifikimin e vrasësit të shtetasit nga Shkodra, Luan Muça, më 14 prill të vitit 2003. Sipas prokurores që përfaqëson akuzën, i pandehuri, në momentin e kryerjes së krimit, ka qenë me një makinë tip BMV, me targa të huaja. Ai ka kryer vrasjen dhe menjëherë është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes, duke braktisur makinën. Por duke u larguar me shpejtësi, ai është njohur nga një polic, që ishte në detyrë. Arrestimi i Kurmemës është bërë shumë shpejt. Pas identifikimit të autorit të vrasjes, policia ka gjetur në makinën e braktisur një celular, gjurmët e gishtave dhe disa metra më tutje armën e krimit të hedhur nga frika. Kurmema ka pohuar se i ka kërkuar disa herë policisë mbrojtje në rast dorëzimi, por nuk është përkrahur.