Apeli rikthen në qeli Arben Lazen
Tiranë - Presidenti i klubit të futbollit “Elbasani”, Arben Laze, i arrestuar pak kohë më parë si i dyshuar në trafikun e drogës, do të qëndrojë në paraburgim deri në përfundim të hetimit të hapur ndaj tij nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Vendimi u mor dje nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, e cila caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”. Gjatë kësaj seance, i pandehuri Laze ka kundërshtuar akuzën e ngritur ndaj tij nga Prokuroria, ndërkohë që mbrojtja e tij ka kërkuar masë më të lehtë sigurie për të, kërkesë e rrëzuar më pas nga trupa gjyqësore. Arben Laze dhe tre persona të tjerë janë arrestuar disa ditë më parë në operacionin policor të koduar “Mesfushori”, i organizuar nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, si të dyshuar në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Dëshmitarët e bandës së Lushnjës protestojnë për shtyrjen e seancave
Tiranë - Pezullimi i djeshëm në Gjykatën e Krimeve të Rënda i procesit ndaj bandës së Lushnjës, për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës, shkaktoi revoltimin e 15 dëshmitarëve që prisnin të dëshmonin në seancën e radhës. 15 dëshmitarë të thirrur nga prokuroria në procesin ndaj bandës së Lushnjës protestuan dje ndaj trupit gjykues, i cili ka qenë i detyruar të shtyjë seancën e radhës për shkak të mungesës së njërit prej avokatëve mbrojtës të të pandehurve të kësaj bande. Dëshmitarët shprehën zemërimin e tyre për zvarritjen e procesit me pretendimin se disa herë ishin paraqitur në Gjykatë dhe nuk kishin mundur të dëshmonin për shkak të pezullimit të seancave gjyqësore. Me cilësinë e të pandehurit, në këtë proces janë shtetasit Arben Boriçi, Rexhep Gina, Afrim Hoxha, Ilir Stregu, Agur Musaku dhe Erion Cici, të cilët akuzohen për disa ngjarje të rënda kriminale, mes tyre edhe vrasje, të ndodhura vite më parë në Lushnjë. Ky është grupi i dytë i të pandehurve të ish-bandës së drejtuar nga Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare, i cili është në proces gjykimi në mungesë pasi ndodhet i arrestuar në Turqi.
Kryetarja Beçaj, një sërë takimesh me përfaqësues të huaj
Tiranë - Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, gjatë dy ditëve të fundit ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të misioneve diplomatike në Shqipëri, në kuadër të prezantimit të saj si dhe vazhdimit të bashkëpunimit të këtyre misioneve të rëndësishme me Gjyqësorin në vendin tonë. Në njoftimin për shtyp nga Gjykata e Lartë bëhet e ditur se, fillimisht znj. Beçaj është takuar me z. Roland Miklau, drejtor i misionit EURALIUS në Shqipëri, i cili është një nga misionet kryesore të KE-së mbi reformat dhe mbështetjen e Gjyqësorit dhe të Drejtësisë në vendin tonë. Z. Miklau e ka njohur kryetaren e Gjykatës së Lartë në lidhje me fazat e zhvillimit të projekteve mbi Drejtësinë dhe Gjyqësorin duke dhënë gjithashtu mbështetjen e tij për të asistuar në mënyrë të vazhdueshme Gjyqësorin. Pjesë e axhendës së takimeve të kryetares së Gjykatës së Lartë ka qenë dhe takimi me ambasadoren e Zvicrës, znj. Ivana Enzler. Ndërsa ambasadori britanik në Shqipëri, Frasen Uilson, është pritur po kështu nga kryetarja e Gjykatës së Lartë. Uilson është shprehur i gatshëm për të ndihmuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Krimet e Rënda, burg dhe gjobë për trafikun e klandestinëve
Tiranë - Prokuroria e Krimeve të Rënda dha dje pretencën për të pandehurit që akuzohen për trafik klandestinësh. Prokurori i çështjes, Ardian Nezha, i kërkoi gjykatës deklarimin fajtorë dhe dënimin me 12 vjet heqje lirie dhe 7.5 milionë lekë për të katër të pandehurit Hodo Corra, Ergerst Rabaj, Krenar Boçi dhe Leonidha Cara, të akuzuar për dy vepra penale: “trafik klandestin në bashkëpunim” dhe “grupi i strukturuar kriminal”. Për katër të pandehurit, Ermal Kaçi, Arben Sulaj, Eugen Garcenaj dhe Kreshnik Gërbi, akuza kërkoi deklarimin fajtorë dhe dënimin e tyre me nga 5 vjet burg dhe 600 mijë lekë gjobë, duke u lehtësuar nga akuza e “grupit të strukturuar kriminal” dhe duke u dënuar vetëm për akuzën e “trafikut klandestin”. Për Ermal Fidhin, prokurori kërkoi vetëm 2.5 vjet heqje lirie për akuzën e “korrupsionit pasiv”, duke e lehtësuar atë nga akuza e “trafikut klandestin”.
17 Janar 2009