E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Shëndetësisë bën publike vaksinat e reja



Emanuela Sako

Programit të vaksinimit do t’i shtohen disa vaksina të reja. Strategjia e re Kombëtare e Imunizimit 2009-2013 parashikon futjen e disa vaksinave të reja dhe zgjerimin e programit të imunizimit për popullatën. Strategjia e re është përgatitur për të mundësuar përmirësimin e vazhdueshëm të shëndetit të fëmijëve, por edhe të grupeve të tjera të popullatës. Vaksinimi kryhet për të siguruar mbrojtjen nga sëmundjet e parandalueshme nëpërmjet vaksinave, si edhe në mbështetje të iniciativave botërore të eliminimit dhe kontrollit të sëmundjeve të parandalueshme. Në këtë listë do të përfshihen disa vaksina, si ato për hepatitet, poliomelitin etj.
Vaksinat
Pjesë e programit është dhe futja e vaksinës Hib, e përfshirë në atë pentavalente që në fillim të këtij viti. Një ndër qëllimet është dhe kontrolli i Hepatitit B në moshat 18 vjeç, si edhe në grupet e riskut, duke ruajtur mbrojtjen vaksinale dhe duke kryer fushata vaksinimi për moshat 15-18 vjeç, testimi i grave shtatzëna për hepatitet virale, ndërtimi i strategjisë kombëtare të kontrollit të hepatiteve. Strategjia parashikon futjen e vaksinës së Hepatitit A në vitin 2012, si pasojë e ndryshimit të profilit epidemiologjik të kësaj sëmundjeje drejt adoleshentëve dhe të rinjve. Synimet e MSH-së janë, ruajtja e statusit si vend pa poliomelit, vendosja e vëzhgimit së paralizave flakside akute përtej moshës fëminore dhe vendosja e vëzhgimit mjedisore për qarkullimin e viruseve të polios dhe atyre vaksinale, si dhe forcimi i survejancës së enteroviruseve. Përsa i përket Tetanozit, synohet eliminimi i tij në të gjitha grupmoshat, futja e dozës së rikujtesës në moshën 18 vjeç. Ndërsa kujdes i kushtohet dhe difterisë, përmirësimit të diagnozës laboratorike dhe sigurimi i aplikimit në kohë të serumit atidiferitik në të gjitha nivelet administrative të vendit. Pjesë e strategjisë janë dhe parashikimet për futjen e vaksinës ndaj infeksioneve nga Rotavirus, në vitin 2011, duke mundësuar uljen e sëmundshmërisë gastrointestinale foshnjore dhe fëminore, si edhe uljen e vdekshmërisë. Strategjia Kombëtare e Imunizimit synon gjithashtu ruajtjen e statusit të eliminimit të fruthit dhe rubeolës, si dhe një kufizim të shpërthimeve epidemike të importuara.
Strategjia
Në bazë të futjes së vaksinave do të bëhet e mundur që të eliminohen mjaft sëmundje që në moshën foshnjore. Njëkohësisht synohet që të informohet e gjithë popullsia, në të gjitha zonat, për kryerjen e vaksinimit të fëmijëve në moshat e caktuara. Kujdes i veçantë në Strategji i kushtohet dhe përmirësimit të aksesit në grupe të ndryshme dhe zona të thella rurale, nëpërmjet programeve të veçanta. Në të gjitha qendrat spitalore do të shpërndahen udhëzues, ku të gjithë qytetarët të kenë mundësinë e njohjes së sëmundjeve dhe marrjes së informacionit për kohën e kryerjes së vaksinimit.

17 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›