Apeli rrëzon kërkesën e Aldo Bares për lirim
Alfred Shkurti, ose i njohur ndryshe si Aldo Bare, nuk do të përfitojë asnjë të drejtë rivlerësim të masës së sigurisë. Vetëm pak ditë pas ekstradimit të kapobandës në Shqipëri, nga Turqia në 25 nëntor, avokati i tij ligjor kërkoi nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda lirimin e tij nga burgu. Aldo Bare akuzohet për mbi 20 vrasje, krijim të organizatës kriminale, rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, dhe kryerje të veprave të tjera penale në bashkëpunim nga organizata kriminale. Në ankimimin e hartuar, avokati mbrojtës i Bares, kërkoi shpalljen e pavlefshme të masës së arrestit, marrë ndaj klientit të tij në mungesë në 26 mars të vitit 2006, si dhe verifikimit të kushteve të zbatimit të kësaj mase pas ekstradimit nga Turqia, si të pavlefshme. Sipas tij, Bare mbahet në burg 1 vit e 5 muaj pasi i kanë skaduar afatet e paraburgimit.