E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti, 1 milion USD për makinat e zyrtarëve

Ministria e Financave nuk i ka rezistuar presionit të vazhdueshëm nga institucione të ndryshme për të kryer shpenzime në blerje autoveturash.

Ndryshe nga ky vit, 2009 parashikon pakësim të fondeve për blerje automjetesh, i cili shkon në total rreth 1 milion dollarë. Si gjithnjë, kuvendi mbetet në radhë të parë kur bëhet fjalë për të blerë autovetura, kjo edhe për faktin se deputetët duhet të pajisjen patjetër me një të tillë.

Në fakt për këtë vit, kuvendit i kishte dështuar disa herë tenderi për të blerë rreth 20 makina tip fuoristradë. Për vitin që vjen, fondi për këtë shpenzim është parashikuar në masën e rreth 220 mijë dollarëve.

Institucionet e fiskut, pra doganat dhe tatimet do të marrin nga buxheti i shtetit rreth 500 mijë dollarë, me synim rritjen e numrit të automjeteve, duke synuar përforcimin e kontrolleve në terren.

Edhe Ministria e Financave nuk mbetet pas. Pasi mori për 2008-ën rreth 130 mijë dollarë, për 2009-ën fondi për blerje autoveturash do të jetë rreth 150 mijë dollarë. Ministria e Jashtme dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë marrë secila nga 82 mijë dollarë, të miratuar nga qeveria në buxhetin 2009.

Në listën e institucioneve që do të shpenzojnë për blerjen e mjeteve të transportit nuk mungon as Ministria e Mbrojtjes, por ndryshe nga të tjerat, kërkesa e saj është për "mjete transporti speciale".

Fondi i parashikuar në buxhet është 3.3 milionë dollarë, i cili shërben për blerje mjetesh transporti për Forcat e Armatosura. Shuma e lartë lidhet edhe me angazhimet e Shqipërisë për t‘u anëtarësuar në NATO.

Për vitin 2008, në total, llogaritet se rreth 1.5 milionë dollarë mendohet të shpenzohen për blerjen e autoveturave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›