Apeli shfuqizon urdhrin e Majkos, rikthen në punë Shytin

25/03/2005 TIRANË – Gjykata e Apelit me vendimin e dhënë dje në orët e para të mëngjesit ka rikthyer në punë një nga oficerët e Bisht- Pallës, liruar pas skandalit që ndodhi në repart me përdhunimin e një vajze. Mete Shyti është oficeri që ka fituar të drejtën për t'u rikthyer në punë. Gjykata e Apelit shfuqizoi urdhrin e ministrit të Mbrojtjes, Pandeli Majko, në bazë të të cilit katër oficerë të lartë duhej të linin detyrën, pasi lejuan të ndodhte në mjediset e repartit mbajtja dhe përdhunimi i një të miture nga disa ushtarë. Gjykata e Apelit për një vit kishte pezulluar dhënien e vendimit për rikthimin e oficerit Mete Shyti në punë, deri sa të sqarohej pozicioni i pjesës së ushtarëve që janë marrë nën përgjegjësi penale, për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë. Në Shkallën e Parë të drejtën e rikthimit në punë e ka fituar edhe Vladimir Bajramaj, shef i kundrazbulimit në repartin e Bisht-Pallës. Leximi i urdhrit të ministrit në gjykatë u bë me dyer të mbyllura, pasi u cilësua si sekret shtetëror. Largimi i tij u bë pas shpërthimit të skandalit të mbajtjes së një vajze për më shumë se 20 ditë në ambientet e repartit. Po kështu flitet që vajza, nëpërmjet vendit sekret ku mbahej e fshehur, do të trafikohej në Kosovë për qëllime përfitimi. Ministri largoi nga detyra pas shpërthimit të skandalit shumë shefa të repartit, të cilët i quajti përgjegjës kryesorë.