Krimet e Rënda, hetim shpërthimit te “Don Bosko”

25/03/2005 Prokuroria e Krimeve të Rënda merr në dorë dosjen hetimore lidhur me shpërthimin e ekslpozivit në një pallat në rrugën “Don Bosko” disa javë më parë, që mori jetën e një personi ende të paidentifikuar. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se organi i akuzës së rrethit të Tiranës ia ka kaluar këtë dosje Krimeve të Rënda për kompetencë. Burime pranë Prokurorisë së Tiranës, thanë dje se nga hetimet e deritanishme u konstatua se ngjarja është pasojë e një atentati të dështuar, të organizuar nga një bandë kriminale. Sipas burimeve, dyshohet se pas kësaj ngjarje fshihet “banda e Lushnjës”. Si provë për këto dyshime janë telefonatat e kryera mes viktimës dhe tre të arrestuarve lushnjarë. Njëri prej këtyre të fundit kishte lidhje miqësore me Leonard Priftin, i akuzuar si pjesëtar i kësaj bande dhe po gjykohet në mungesë. Burimet pohojnë se të akuzuarit si pjesëtarë të bandës së Lushnjës, janë hetuar dhe po gjykohen nga Krimet e Rënda. Ka qenë karta e telefonit, e gjetur në vendngjarje, ajo e cila identifikoi se kush fshihej pas këtij shpërthimi që mori jetën e vetë atentatorit. Nga verifikimet e tabulateve, rezultoi se ky numër kishte kryer dhe kishte marrë thirrje telefonike nga celularët e tre të rinjve lushnjarë. Elvis Pethi, Ardian Llapushi dhe Mario Hasani, u arrestuan Ditën e Verës, pasi u futën në kurth nga një agjente policie. Gjatë marrjes në pyetje, fillimisht, ata mohuan të njihnin numrin e kartës së gjetur në vendngjarje. Por pas ballafaqimit me provat, ata pohuan se numri i përkiste Leonard Priftit. Por, ende viktima mbeti i paidentifikuar zyrtarisht. Kjo, pasi familjarët e tij nuk kanë bërë ndonjë denoncim për zhdukje. Ndërkaq, nga hetimet e Prokurorisë dyshohet se atentati ka qenë drejtuar ndaj një ish-zyrtari të policisë, i cili ka hetuar dhe ka kryer disa operacione kundër “bandës së Lushnjës”, përfundojnë burimet.